26-04-2024

Malishevë: Dënim me kusht të akuzuarit për një aksident

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me katër muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, Sahit Gashi.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të premten, pasi që i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi, Lulzim Paçarizi, dënimi me kusht ndaj të akuzuarit Gashi, nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Ai është obliguar që të paguaj edhe shpenzimet gjyqësore në shumën e përgjithshme prej 110 euro.

Kurse, në seancën e shqyrtimit fillestar i akuzuari ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, për arsye se sipas tij, këtë vepër e ka kryer nga pakujdesia.

Ndërsa, prokurori i rastit, Armend Zenelaj, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, më 20 korrik 2017, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit, Sahit Gashi, i cili akuzohet se më 18 janar 2017, rreth orës 11:30, në magjistralen Prishtinë-Pejë, në fshatin Kijevë, derisa ka qenë duke e drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve, Ismet Gashi, Armend Haxhijaj, Xhemajl Qelaj, Jetmire Kastrati dhe Djellza  Qelaj.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me të arritur në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe rrethanave të rrugës, merr veprim të pasigurt, kthehet majtas, ia merr përparësinë automjetit, në përballë kalim, dhe me pjesën ballore e godet automjetin e  të dëmtuarve.

Po ashtu, sipas aktakuzës, pas aksidentit të dëmtuarit sipas ekspertizës mjekoligjore pësojnë  lëndime të lehta trupore./BetimipërDrejtësi/

Asnjë koment

Comments are closed.