Prizren: Gjykata merr vendim kundër BKT-së që dyshohet se mashtroi klientin

Në një aktvendim të marrë më 5 shkurt, Gjykata vendosi që t’ia ndalojë bankës dhe përmbaruesit privat që të shesin shtëpinë të cilën e kishte hipotekuar Sali Shehu, në një aneks-kontratë që dyshohet se ishte falsifikuar nga Banka Kombëtare Tregtare.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar Taulant Hodaj, avokati i klientit të BKT-së.

“Pranova Urdhrin nga Gjykata Themelore ne Prizren e cila në bazë të kërkesës së prokurorisë ka urdhër ku iu është ndaluar Bankës, Përmbaruesit dhe secilit tjetër shitja dhe tjetërsimi i palujtshmerisë së klientit Sali Shehu. Ky vendim është për 30 ditë”, ka thënë Hodaj për Insajderin.

Shehu ka ngritur padi dhe ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren vitin e kaluar. Ai akuzon institucionin bankar se ia falsifikoi nënshkrimin në dokumente me qëllim shitjen e shtëpisë së hipotekuar prej tij në vitin 2009.

Madje, BKT inicoi procedurë përmbarimore ndaj Sali Shehut dhe katër bashkë-kredimarrësve të tjerë – familjarë të 54-vjeçarit – me arsyetimin se ata nuk i janë përmbajtur aneks-kontratës për riprogramimin e kredisë që dyshohet të jerë falsifikuar nga zyrtarët e bankës në vitin 2015.

Siç ka raportuar Insajderi, në kallëzimin penal të deponuar kundër BKT-së thuhet se Banka Kombëtare Tregtare dhe dy përfaqësuesit e saj, F.M. dhe Z.G., dyshohen për kryerjen e veprave penale: Falsifikim i Dokumentit, Keqpërdorimi i Autorizimeve Ekonomike dhe Mashtrimi ose Dëmtimi i Kreditorëve.

“Ekziston dyshimi i bazuar se F.M dhe Z.G në cilësinë personave përgjegjes – përfaqësuesve të BKT-së si kredidhënëse, me datë 30.01.2015 në lokalet e BKT-së në Prizren pas një marrëveshjeje paraprake në mes tyre, kanë përpiluar në mënyrë të plotë Aneks- kontratën për ri-programimin e kredisë”, thuhet në kallëzimin penal që avokati Taulant Hodaj dorëzoi në Prokurori më 30 nëntor të vitit të kaluar.

Kallëzimi penal ngrit dyshime se BKT dhe përfaqësuesit e saj kanë falsifikuar qëllimshëm dokumentet e Sali Shehut.

“[…] kanë bërë hartimin e plotë të aneks- kontratës duke i caktuar vet kushtet e kontratës dhe të njëjtit me dashje që BKT të përfitojë kundërligjshëm dobinë pasurore, kurse debitorëve (palës kredimarrëse – bashkredimarrësit dhe garantuese) t’iu shkaktohet dëm, kanë falsifikuar nënshkrimet e debitorëve”, pohohet në kallëzimin penal. /Insajderi.com