Malishevë: Detaje nga vrasja e Sefer Berishës, dyshohet se e vranë 3 persona
Trupi i pajetë i Sefer Berishës, 57- vjeçar, ishte gjetur në automjetin e tij më datën 4 gusht 2018 në fshatin Lladrovc.
Për këtë rast ishte arrestuar Nafije Rrafshi në muajin shtator, shkruan IndeksOnline.
Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës kishte vrarë Sefer Berishën.
Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme. Pas një fjalosjeje dhe kacafytjeje, e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes, thuhet në aktakuzë.
Por këtë vepër Nafije Rrafshi nuk e ka kryer e vetme. Dyshohet se dy persona të tjerë janë të përfshirë në këtë rast.
Yllka Shehu, zëdhënëse në Gjykatën e Gjakovës, për IndeksOnlinen ka thënë se dje janë arrestuar B.N., dhe G.A., si të dyshuar për vrasjen në Malishevë.
Prokuroria në Gjakovë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, kundër dy të pandehurve.
“Në lidhje me pyetjet tuaja, drejtuar Prokurorisë Themelore në Gjakovë, iu njoftojmë se, dje me datë 26 dhjetor 2019, janë arrestuar edhe dy persona në cilësinë e të dyshuarve për vrasjen e S.B., nga Malisheva, më datën 04.08.2018.
Personat e arrestuar janë B.N., dhe G.A., dhe dyshohet se në bashkëkryerje me tani të akuzuarën për vrasje N.Rr., kanë kryer veprën penale të vrasjes.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor me rastin e të akuzuarës N.R.r., për vrasjen e S.B., prokurori i rastit ka ardhur në përfundim se e pandehura nuk e ka kryer e vetme këtë vepër penale, por në bashkëpunim me dy të dyshuarit e tjerë B.N., dhe G.A., të cilët dje janë arrestuar nga ana e policisë, dhe sot Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, kundër dy të pandehurve”, ka thënë Shehu për IndeksOnline.
“Përderisa ishin duke ecur me automjetet e tyre, në një çast e pandehura N. Rr., (ku është e akuzuar për vrasje nga data 29 janar 2019), e ndal veturën, dhe bashkë me dy të pandehurit tjerë G.A., dhe B.N., i afrohen veturës së tani të ndjerit, ku njëri prej të pandehurve me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm, shtënë nga jashtë automjetit në drejtim ku ishte i ulur i ndjeri, duke e qëlluar atë në anën e majtë në qafë, kokë dhe veshin e djathtë, duke e privuar të njëjtin nga jeta, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet në komunikatë.
Ky rast i vrasjes në Lladrovc të Malishevës, për çka po gjykohet Nafije Rrafshi, kishte vazhduar të bëhej gjithnjë e më i paqartë.
Ndërsa, Nafije Rrafshi po mbahet në paraburgim që nga muaji tetor i vitit të kaluar është e akuzuar për rasjen e 57-vjeçarit Sefer Berisha.
Seanca e radhës që do të mbahet për këtë rast është datën 16 janar të vitit 2020./IndeksOnline/