Malishevë: Mungon i akuzuari, katër herë radhazi dështon gjykimi për sulmin ndaj mjekut në Kijevë
Sot, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, për katër herë radhazi, nuk ka arritur që të mbahet seanca e shqyrtimit të dytë ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Mahmut Hoxhaj.
Shkak i dështimit të këtij gjykimi, ka qenë mungesa e të akuzuarit, Mahmut Hoxhaj.
Kurse, sa i përket mungesës së të akuzuarit Hoxhaj, gjykatësi Lulzim Paçarizi, ka thënë se nuk ka prova që është ftuar në mënyrë të rregull, pasi që shërbimi i postës në fletëkthesë ka konstatuar se ftesa të akuzuarit i është lënë në shtëpi.
Në seancë ka prezantuar prokurori Ismet Tofaj. Seanca e radhës pritet të mbahet më 28 shkurt 2019, në ora 9:30.
Për shkak të mungesës të të akuzuarit, katër seanca radhazi kanë dështuar në këtë rast, të cilat ishin paraparë të mbaheshin më 20 nëntor dhe 11 dhjetor 2018, si dhe 17 janar dhe 12 shkurt të vitit 2018.
Në seancën e mbajtur më 4 tetor të vitit 2018, i akuzuari Hoxhaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.
Në këtë rast për të njëjtën vepër penale akuzohej edhe Albert Hoxhaj, por në seancën fillestare, të mbajtur më 4 tetor 2018, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është veçuar procedura penale ndaj tij, me arsye se në bazë të verifikimit të vendndodhjes së tij, nga Stacioni Policor në Malishevë, i njëjti gjendet jashtë vendit, përkatësisht në Itali.
Sipas aktakuzës së ngritur më 25 prill 2016, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Albert dhe Mahmut Hoxhaj akuzohen se më 08 dhjetor 2015 në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Ardit Kryeziu, mjek në Shtëpinë e Shëndetit në Kijevë.
Bazuar në aktakuzë, të akuzuarit Hoxhaj duke u koordinuar në mes vete, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin Kryeziu në vendin e tij të punës, duke e goditur me mjet të fortë metali në krahun e djathtë dhe në shpinë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme.
Me këtë, të akuzuarit Albert Hoxhaj dhe Mahmut Hoxhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” të paraparë me nenin 188, paragraf 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./betimiperdrejtesi/