20-04-2024

Malishevë: Nis identifikimi i personave që kanë pasur kontakt me të infektuarën me koronavirus

Pasi një grua 37-vjeçare u konfirmua se është infektuar me koronavirus dhe pasi që kryeministri, Albin Kurti, vendosi që Malisheva të hyjë në karantinë, Komuna e Malishevës po kërkon nga qytetarët e saj të mos bëjnë panik pasi që sipas tyre të gjitha masat e nevojshme po zbatohen.

“Pas marrjes së informacionit për një rast të prekur me COVID-19, Komuna e Malishevës, në bazë të rekomandimeve të institucioneve shtetërore, i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbikëqyrjen e situatës. Në këto momente ka përfunduar edhe takimi i përbashkët në mes Këshillit Komunal për Menaxhimin e situatës me COVID-19, Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Prizren, QKMF-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Janë bashkërenduar të gjitha aktivitetet lidhur me rastin, ku janë duke identifikuar të gjithë personat që kanë pasur kontakte me pacientin, të cilët edhe janë duke u vetizoluar, si dhe në të gjitha hyrje-daljet e Komunës së Malishevës, bazuar në mesazhin e marrë nga kryeministri i vendit, janë duke u vendosur patrullat policore”.

“Zyrtarët e IRSHP-së, janë duke e trajtuar rastin dhe janë duke ju dhënë udhëzimet e nevojshme të gjithë atyre personave që kanë pasur kontakt me pacientin tashmë të diagnostifikuar me COVID-19”.

“Me këtë rast, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ju ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen, por ti zbatojnë udhëzimet e dhëna nga ana e IKSHP-së dhe Qeverisë së vendit”

“Të gjitha organet kompetente komunale, në bashkëpunim dhe në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHP-së, janë duke e menaxhuar situatën, prandaj nuk ka vend për panik, por ne të gjithë së bashku duhet t’iu përmbahemi udhëzimeve që janë duke u shfaqur në vazhdimësi në mjetet e informimit dhe rrjetet sociale”.

Asnjë koment

Comments are closed.