02-12-2024

Malishevë: Prokurori kërkon dënim, ndërsa i akuzuari për vjedhje pylli, thotë se mali ishte i familjes

I akuzuari Jemin Krasniqi, sërish e ka mohuar fajësinë për vjedhje pylli, duke thënë që drutë i ka prerë në malin e familjes së tij.

Pas mohimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit, seanca e shqyrtimit gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e rojës së pyllit Naim Berisha, në cilësi të dëshmitarit.

Dëshmitari Berisha ka deklaruar se në ditën kur po kryente kontrollin rutinor, ka hasur të akuzuarin Krasniqi, duke prerë dru në vendin e quajtur “Batllak”, dhe sipas tij, ajo zonë është kontestuese, sepse nuk dihet qartë së a është zonë private apo publike.

Ai ka thënë se për këtë çështje ka pyetur inspektoratin e Agjencisë Pyjore të Kosovës, dhe të njëjtit i kanë thënë se ajo zonë është publike, dhe pas kësaj ka bërë edhe fletëparaqitjen për këtë rast.

Seanca e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka vazhduar me  dhënien  e fjalës përfundimtare nga palët në procedurë, në të cilën i akuzuari ka mohuar të tërësi fajësinë, për akuzën me të cilën përballet.

“Unë kam prerë dru në mal, por nuk është e vërtet që kam prerë në malin publik, pasi që mali ynë privat siç e quajmë ne “Hija e Llazit” është në vijë kufitare me malin publik”, ka thënë i akuzuari Krasniqi.

Ai ka thënë se sikur të ishte mali publik nuk do të shkonte me sharrë, në mes të ditës për të prerë dru, dhe se gjithmonë aty familja e tij kanë prerë dru, dhe për këtë ia ka sjellë gjykatës edhe fletën poseduese.

I akuzuari Krasniqi, ka kërkuar nga gjykata që të lirohet nga akuza, pasi nuk e konsideron veten fajtor.

Kurse, prokurori Enis Gashi, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues dhe sipas tij, me provat e paraqitura, dëshmia e rojës së pyllit dhe faktet tjera, siç ka thënë ai, është vërtetuar fajësia e të akuzuarit Krasniqi.

Me vendim të gjyqtarit Lulzim Paçarizi, ky shqyrtim gjyqësor ka përfunduar dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 8 korrik 2019, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2017, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Jemin Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 30 dhjetor 2016, rreth orës 14:30, në pyllin publik, Rajoni Ekonomik Pyjor “Bjeshka”, në vendin e quajtur “Batllak”, i akuzuari Krasniqi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka prerë 142 copë dru të llojit “Ah”, me katër metra gjatësi, si dhe me vëllim të përgjithshëm 2.13 metra kub.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, Drejtorisë për Bujqësi e Pylltari dhe Zhvillim Rural-Njësia Pyjore në Malishevë, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 407.36 euro. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.