12-12-2024

Lehtësime doganore dhe tatimore për invalidët e luftës

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka nënshkruar sot Udhëzimin Administrativ për procedurat e realizimit të të drejtave në lehtësimet doganore dhe tatimore për invalidët e luftës.

Sipas njoftimit, ky udhëzim ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe kushteve të realizimit të të drejtave për lirim nga detyrimet importuese për kategorinë e invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtij udhëzimi, pjesëtarët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kanë statusin e invalidit të luftës të njohur nga institucionet e Republikës së Kosovës, me shkallë të invaliditetit nga grupi një deri në shtatë, lirohen nga çdo lloj tatimi dhe takse doganore për importimin e veturës speciale dhe pajisjeve ortopedike për përdorim personal të invalidit të luftës.

Ky Udhëzim Administrativ hynë në fuqi 7 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ministria e Financave do të vazhdojë edhe më tutje me reformat në politikat fiskale, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.