Maqedonia e Veriut ul çmimet e dhjetëra produkteve bazike
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të martën t’i ulë çmimet e 50 produkteve ushqimore, siç tha, me qëllim që t’i mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve të produkteve bazike. Megjithëkëtë, ekspertët nuk besojnë se do të ketë efekt vendimi për uljen e çmimeve për këto produkte.
Këtyre produkteve bazike do t’iu vihet etiketa “çmim i garantuar” dhe do të shiten për një çmim prej 10 për qind më lirë sesa deri tani, duke filluar nga 20 shtatori deri më 30 nëntor.
Në mesin e produkteve bazike që do të shiten më lirë janë buka, mishi, qumështi dhe prodhimet e tij, frutat dhe perimet.
Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, tha se Qeveria u detyra të marrë masa për ndryshimin e çmimeve të produkteve bazike, pasi gjeti dallim të madh të çmimeve të tyre në tregjet botërore me ato vendore.
“Të gjitha analizat tregojnë se nuk ka arsye për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, as nga ana e tregtarëve, as nga ana e prodhuesve. Kjo nuk mund të ndodhë duke marrë parasysh çmimet në bursat botërore që kanë shënuar rënie”, tha Bekteshi.
Qeveria, po ashtu, e ndaloi shitjen e produkteve ushqimore me çmime speciale promovuese, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime me çmimet e tjera, apo nxitjen e konsumatorëve për të blerë të njëjtin produkt në sasi më të mëdha.
Inspektorati i Tregut paralajmëroi masa të rrepta, duke nisur nga dënimi me gjobë deri te mbyllja e bizneseve, për shkelësit e mundshëm të vendimit të Qeverisë.
“Inspektorati shtetëror i Tregut do të ndërmarrë masa të njëjta te të gjitha subjektet dhe nuk do të bëjë asnjë kompromis, apo selektim për të gjithë ata që nuk i respektojnë vendimet. Ne do të vazhdojmë me kontrollet e përforcuara në terren me qëllim që të mbrojmë standardin e qytetarëve. Inkurajojmë të gjithë qytetarët që në rast se vërejnë parregullsi, menjëherë t’i denoncojnë ato në Inspektoratin e Tregut që të mund të ndërmarrim masa adekuate”, tha Goran Trajkovski, drejtor i Inspektoratit të Tregut.
“Vendime të pafrytshme”
Ky është vendimi i pestë i tillë që Qeveria maqedonase e ka marrë këtë vit për produkte ushqimore, por është kritikuar, pasi, sipas ekspertëve, vendimet nuk kanë dhënë frytet e pritura, dhe se përkundrazi, çmimet janë rritur pas skadimit të secilit vendim.
Çmimet e produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut, sipas drejtuesve të institucioneve, janë rritur deri në 47 për qind gjatë këtij viti, derisa në tregjet evropiane ato kanë shënuar rritje jo më shumë se 10 për qind.
Abil Baush, profesor i Ekonomisë, nuk beson se masat do të japin efekte, pasi thotë se çmimet duhet të rregullohen, apo të ulen nga tregu i lirë i konkurrencës.
“Në kohën kur masat e njëjta të ngrirjes së çmimeve dhe marzhave nuk dhanë efektin e duhur, siç edhe pritej, është shumë e panevojshme të kemi masë të njëjtë, të ngrirjes së çmimeve. Në një situatë të tillë pritej të kishte masa të tjera, të mendohej për nisma të bizneseve për një treg më konkurrues. Pra, kur pritej të kishte një treg konkurrues, me këto masa ngushtohet tregu”, vlerëson Baushi.
Ai thotë se institucionet duhet t’i kushtojnë rëndësi më të madhe prodhimit vendor përmes nxitjes dhe ndihmave të ndryshme, në mënyrë që ai të jetë konkurrues ndaj prodhimeve të jashtme.
“Ne nuk kemi prodhim vendor të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumatorëve tanë, andaj konsideroj se duhej të hartohej një strategji për nxitjen e prodhimit vendor. Ne nuk kemi rritje të çmimeve të prodhimeve vendore, por rritje të çmimeve të prodhimeve që vijnë nga jashtë – këtu qëndron problemi”, shton ai.
Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka shtrenjtuar edhe shportën e konsumit.
Sipas Lidhjes së Sindikatave, në muajin gusht një familje katëranëtarëshe për të siguruar kushtet elementare për jetë i ka shpenzuar 810 euro./REL