25-11-2024

MASH-i kërkon 5 mijë teste për COVID-19 për të testuar mësimdhënësit

Ndonëse javë më parë edukatorët e çerdheve iu nënshtruan testit për Covid-19 para se të hapeshin institucionet parashkollore, kjo nuk pritet të ndodhë me mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta. Sipas ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, për shkak të numrit të madh të mësimdhënësve të këtij niveli, testimi i tyre është e pamundur të ndodhë.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga Qeveria që t’ua ofrojnë disa teste në rast se paraqitet nevoja, raporton KOHA.

Por, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, vlerëson se Qeveria nuk do të duhej të merrte vendim për hapjen e shkollave pa u bërë testimi i mësimdhënësve. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të parandalohej shpërndarja e virusit në masë të madhe.

Këtë vit shkollor, në nivelin parauniversitar janë mbi 23 mijë mësimdhënës. “Koha” ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë nëse ka kapacitete për testimin e mësimdhënësve të nivelit parauniversitar, mirëpo nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.

Një ditë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka publikuar disa rekomandime se si të bëhet rikthimi në shkolla.

Sipas rekomandimeve, secilit nxënës, si dhe personelit të shkollës çdo ditë duhet t’u matet temperatura përmes termometrit laserik.

Po ashtu, të gjithë nxënësit dhe stafi i shkollave duhet të bartin maska, t’i dezinfektojnë duart para se të hyjnë në objekt shkollor dhe të ruajnë distancën deri në 1.5 metra.

Pas çdo ore mësimore, mësimdhënësi duhet t’i hapë dritaret që të bëhet ajrosja e ambientit të klasës. Nëse e lejojnë kushtet atmosferike, dritaret duhet të jenë të hapura gjatë tërë kohës.

Sipas IKSHPK-së, kushdo që ka simptoma të Covid-it nuk duhet të shkojë në institucionin edukativo-arsimor. /Koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.