MASHT-i ka shpenzuar 135 mijë euro për pagat e 32 vetave që nuk paraqiten në punë
Kompensimi i komisioneve të brendshme brenda orarit të punës, planifikim jo i mirë i projekteve kapitale, angazhime në kundërshtim me Rregulloren për të ardhura personale, janë vetëm disa nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2018. Sipas këtij raportit të publikuar të hënën, MASHT-i nuk po i adreson mjaftueshëm rekomandimet e vitit paraprak. Si rezultat i kësaj thuhet se përmirësimet e organizatës janë të ngadalshme, shkruan sot Koha Ditore.
ZKA-ja ka evidentuar shkelje sa i përket 32 të punësuarve serbë në MASHT. Këta punonjës ishin planifikuar të sistemoheshin nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.
“Për zyrtarët e lartcekur Ministria nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon Rregullorja e orarit të punës e hartuar nga Ministria e Administratës Publike, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për këta 32 zyrtarë ishte 134.657€. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk janë zbatuar kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës dhe arsyeve tjera, përfshirë edhe rrethanat politike”, thuhet në raportin e Auditorit.
Raporti ka evidentuar se procesi i planifikimit është përcjellë me analiza të dobëta lidhur me projektet e planifikuara. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)/ GazetaePrizrenit.net/