Mbahet seanca e shqyrtimit kryesor ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren i akuzuar për korrupsion
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi kryesor ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në fillim të kësaj seance, prokurorja Ervehe Gashi, e bëri leximin e aktakuzës, ndërsa i akuzuari Musliu, deklaroi se e kupton për çfarë akuzohet, mirëpo nuk e pranon fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pastaj seanca vazhdoi me dhënien e fjalëve hyrëse, ku prokurorja Gashi deklaroi se gjendja e përshkruar faktike në pikën 1 dhe në pikën 2 të kësaj aktakuze, do të vërtetohet nga deklaratat e dëshmitarëve Fail Hoxha, Islam Thaqi, Veron Aliu dhe Tyran Alibajro si dhe nga provat materiale të cilat janë propozuar në aktakuzë.
Ndërsa përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku, në fjalën e tij hyrëse deklaroi se i mbështet në tërësi pretendimet e paraqitura nga prokuroria e shtetit në fjalën hyrëse dhe se konsideron se komuna e Prizrenit është e dëmtuar në të dyja rastet.
Në fjalën e tij hyrëse mbrojtësi i të akuzuarit, avokat Gent Gjini deklaroi se në lidhje me objektet në fjalë, në atë kohë përgjegjës ka qenë inspektori Veron Aliu, dhe se inspektori në fjalë ka dal në teren dhe ka hartuar procesverbalin, mirëpo në një moment kohor bëhet ndërrimi i vendeve të punës me të mbrojturin tim inspektorin Nexhmidin Musliu.
Pas dhënies së fjalëve hyrëse, seanca vazhdoi me procedurën e provave, ku në cilësinë e dëshmitarit u paraqit Fail Hoxha, i cili është Koordinator i Inspektorateve në Drejtorinë e Inspektorateve në Prizren.
Dëshmitari Hoxha deklaroi se ai nuk është koordinator i sektorit të ndërtimit, mirëpo në përgjithësi edhe sektori i ndërtimit hyn në Drejtorinë e Inspektorateve.
Në lidhje me inspektimin e zonës ku janë të ndërtuara këto objekte, dëshmitari deklaroi se ajo pjesë për një kohë të caktuar gjatë vitit 2016 ka qenë përgjegjësi e inspektorit Veron Aliu e pastaj ka kaluar në përgjegjësinë e inspektorit Nexhmedin Musliu.
Tutje dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet nëse ka ardhur në zyrën e tij ndonjë lëndë për ekzekutim për rrënimin e objekteve të cilat janë objekt i aktakuzës.
Pas përfundimit të dëshmisë nga Fail Hoxha, në sallë për të dhënë dëshminë e tij u paraqit, ish-Drejtori i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit Islam Thaqi.
Dëshmitari Thaqi, deklaroi se është përgjegjësi e inspektorit të ndërtimit rrënimi i objekteve që janë pa leje apo kane tejkalim të lejes.
Tutje dëshmitari deklaroi se me nxjerrjen e konkluzionit për ndërtim nuk përfundon puna e inspektorit, pasi që ai duhet të ekzekutojë konkluzionin me afate të parapara në atë konkluzion.
Dëshmitari tutje deklaroi se ai pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Inspektorateve e ka marrë në vitin 2018, dhe se për këtë rast nuk ka qenë i informuar deri në momentin kur organet e hetuesisë i kanë kërkuar që t’i dorëzoi lëndët në lidhje me këtë rast.
I fundit në sallë për të dhënë dëshminë u paraqit ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Veron Aliu.
Dëshmitari Aliu, deklaroi se ai ka qenë inspektor i ndërtimit nga qershori deri në nëntor të vitit 2016 dhe se gjatë kësaj kohe i ka kryer inspektimet në zonën e Qylhanit dhe të Ortakollit edhe pse nuk ka pasur një vendim të caktuar për zonat që do të i inspektoi.
Tutje dëshmitari deklaroi se ai nuk ka qenë inspektor në vitin 2017, po ashtu nuk e din nëse gjatë vitit 2016 i ka inspektuar këto dy objekte, mirëpo vetëm e din se ka inspektuar në zonën e Qylhanit, ndërsa nuk e din emrin e pronarëve të objekteve.
Në pyetjen e të akuzuarit drejtuar dëshmitarit se a qëndronin përball vendimeve që i keni lëshuar në inspektimin e “Hotel City” të pronarit Shaqir Rrahmanaj, që është edhe objekt i aktakuzës, dëshmitari deklaroi se po qëndron pranë atyre vendimeve.
Pas përfundimit të dëshmive nga dëshmitarët e lartcekur, kryetarja e trupit gjykues njoftoi se seanca e sotme ndërpritet, dhe e njëjta do të vazhdoi me 25.02.2021 në ora 10:00, ku në cilësinë e dëshmitarit do të dëgjohet Tyran Alibajro, i cili ishte i ftuar edhe për këtë seancë, mirëpo nuk u paraqit në sallë për të dëshmuar.
Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se prej datës 23 maj 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Isuf Alibajra ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.
Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanaj ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Ai akuzohet edhe në disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi