Mbahet seanca fillestare ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur seanca fillestare ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, i cili po akuzohet për korrupsion.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, i akuzuari Baldedaj deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, gjykatësja Ajser Skenderi mori aktvendim që shqyrtimi i sotëm fillestar të përfundon, duke njoftuar se seanca e shqyrtimit të dytë caktohet për 29 mars 2021, në ora 10:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 29 dhjetor 2020, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet për veprën keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas pikës një të aktakuzës, thuhet se prej muajit mars, e deri në fund të vitit 2016, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “furnizim me Softëer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.
Vlera e tenderit ka qenë 24.735.00 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, përkatësisht paragrafin 4 dhe 5 të nenit 8 të këtij ligji, me të cilin përcaktohen kushtet e bërjes së investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekt ky që prej ditës së implementimit nuk është funksional, me ç’rast komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28.000 euro, thuhet në aktakuzë.
Në pikën dy të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.
Kështu që në atë mënyrë, duke ditur se ekziston Arkiva qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.
Vlera e këtij projekti ka qenë 72.898.98 euro, duke mos respektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jo funksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72.898.98 euro, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100.898.98 euro, thuhet në aktin akuzues.
Me këto veprime, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi