18-04-2024

Mbeturinat shkak për përleshjen mes fqinjve në Prizren

I dëmtuari, Irfan Cibo, sot gjatë dhënies së deklaratës së tij në shqyrtimin gjyqësor kundër të akuzuarit Mahir Limani, ka deklaruar se në ditën kritike, derisa ishte me mbesën e tij të vogël, befasisht është sulmuar nga i akuzuari, me ç’rast ka pësuar lëndime në fytyrë.

I dëmtuari Cibo, tutje ka deklaruar se së bashku me mbesën e tij gjashtë vjeçare, kishte shkuar të shikonte disa mace të vogla që gjendeshin në oborrin e fqinjit të të akuzuarit dhe derisa po i shikonin ato, papritur është goditur nga i akuzuari mbrapa koke dhe më pas është goditur me një brisk në pjesën mes dy syve, duke pësuar plagë në pjesën e sipërme të hundës.

Ky i dëmtuar, në cilësinë e dëshmitarit, ka treguar se pas goditjeve, është rrëzuar me shpinë në tokë dhe derisa i akuzuari ka tentuar sërish ta sulmojë me brisk, ai e ka goditur me këmbë në dorë dhe ia ka larguar briskun, ndërsa më pas i akuzuari sipas tij, ka ikur në shtëpinë e tij dhe nuk ka dalë më jashtë edhe pse e kanë thirrur disa herë policia që ka ardhur më pas në vend të ngjarjes.

Sipas tij, pasi që i akuzuari nuk është përgjigjur në thirrjet gojore të policisë, atëherë policia e ka marrë atë dhe ka dërguar në emergjencë për ta trajtuar plagën e marrë nga goditjet e të akuzuarit dhe po ashtu ka dhënë deklaratë në polici rreth rastit.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, gjyqtari i çështjes, Luan Berisha, me pajtimin e prokurorit Besim Susuri, mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Asman Hoxha dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Blend Gjini, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor, ndërsa vazhdimin e ka caktuar për 3 shtator 2018, ne ora 10:30.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën, Mahir Limani akuzohet se më 15 tetor 2016, për shkak të një konflikti të mëhershëm, ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin Irfan Cibo, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Sipas aktakuzës, në ditën kritike, derisa i dëmtuari Cibo po qëndronte në rrugë me mbesën e tij të vogël, atypari ka kaluar i pandehuri dhe për shkak të një mosmarrëveshjeje që kishin pasur dy muaj më herët për shkak të hedhjes së disa mbeturinave, i njëjti e ka sulmuar në pjesën e fytyrës, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.