23-11-2024

Mbi 280 filma pjesë e këtij edicioni në “Dokufest”

Festivali Ndërkombëtar i filmit Dokumentar dhe atij të shkurtër “Dokufest” nis këtë të premte në Prizren edicionin e tij të 18-të. Gjatë një konference të mbajtur sot për media në ambientet e restorant “Rings” në Prishtinë drejtuesit e këtij festivali kanë bërë të ditur programin dhe gjithçka që pritet të karakterizojë edicionin e sivjetmë të këtij festivali.

Sipas drejtorit artistik të Festivalit, Veton Nurkollari, ky edicion pritet të jetë ndër më të mirët në historikun 18 vjeçar të këtij eventi. Ai ka thënë me këtë rast se gjatë 9 ditëve sa do të zgjas ky festival do të shfaqen mbi 280 filma, ku mbi 100 prej tyre do të garojnë në 6 kategori.

“Shumica e filmave që do të shfaqen gjatë këtij edicioni janë filma të rinj të prodhuar gjatë këtij viti apo vitit të kaluar, shumë prej tyre filma cilësor që ose kanë fituar, apo kanë qenë pjesë e festivaleve më të mira të botës, duke përfshirë edhe emra të njohur të kinematografisë botërore, qoftë si pjesëmarrës apo pjesë të jurisë”, ka thënë Nurkollari.

Fotografia e Televizioni Prizrenit

Regjisori Samir Karahoda, seleksionues i filmave të metrazhit të shkurtër ka bërë të ditur se gjatë këtij edicioni në këtë kategori do të shfaqen 30 filma të shkurtër, ndërsa 11 janë pjesë e kategorisë kombëtare. “Koncepti i edicionit të sivjetëm është ‘E vërteta’, me tema që trajtojnë migrimin. Programi i sivjetëm i filmave trajton temën e së vërtetës, çështjet gjinore, racizmin e kështu me radhë”, ka thënë Karahoda.

Përveç kësaj Dokufesti do të sjellë edhe programin e festivalit për fëmijë, ku për çdo ditë nga ora 10:30 deri 11:30 do të ketë filma për fëmijë pa pagesë për moshat deri 14 vjeç, përcjellë me aktivitete tjera, si punëtori, koncerte e etj. Kurse, drejtoresha ekzekutive Linda Llulla ka pohuar se përveç filmave në program të festivalit do të jenë edhe shumë aktivitete tjera si punëtori, panele të ndryshme e aktivitete që do të fokusohen në tematikat e festivalit./tvpz

Asnjë koment

Comments are closed.