24-04-2024

Mbrëmë ishte rasti i fundit me COVID-19 në Rahovec, s’ka persona në listë të pritjes për testime

23 persona nga komuna e Rahovecit janë konfirmuar deri më tani me COVID-19. Nga ta është shëruar vetëm një, ndërkaq rasti i fundit që u shënua me koronavirus në këtë komunë ishte të hënën mbrëma. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka treguar për Express se personi që u konfirmua me COVID-19 është rast kontakti. Ai theksoi se momentalisht nuk ka mostra të reja që pritet të testohen

Një grua nga komuna e Rahovecit është konfirmuar me COVID-19 mbrëmjen e së hënës. Ajo virusin e ka marrë nga familjarja e saj, e cila para disa ditësh ka rezultuar pozitive në testimet për koronavirus, e cila ishte paciente e hemodializës në Prizren.

Kryetari Smajl Latifi tha për Express se numri total i të prekurve me COVID-19 në këtë komunë ka shkuar në 23, ndërkaq vetëm një është shëruar deri më tani.

“Rasti i mbrëmshëm është kontakt me familjaren e saj që është konfirmuar para disa ditësh, e që ka qenë paciente e hemodializës në Prizren. Janë testuar familjarët tjerë, të gjithë kanë rezultuar negativë. Rasti i mbrëmshëm nuk ka pasur kontakte me të tjerët, ka qëndruar e izoluar”, tha Latifi.

Latifi theksoi se sot nuk pritet të testohen mostra të reja nga komuna e Rahovecit.

“Një herë nuk kemi mostra që pritet të testohen. Rastet aktive që i kemi tani janë 2 punonjëse shëndetësore të hemodializës, 4 pacientë të hemodializës dhe 16 të tjerë janë kontakte të të gjithë këtyre. 1 rast e kemi të shëruar, një punonjëse shëndetësore në Prishtinë. Presim që gjatë fundit të javës të na rezultojnë të shëruar shumica e personave të prekur me virus”, ka thënë Latifi.

Latifi theksoi se dy pacientë të hemodializës të cilët kanë rezultuar pozitivë në testimet për koronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK-së, ndërkaq tha se gjendja e tyre është stabile.

Ndërkohë, numri total i personave të konfirmuar me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 855.

Nga ta janë shëruar 403, ndërkaq kanë vdekur 26 persona. /GazetaExpress/

Asnjë koment

Comments are closed.