23-11-2024

Mbyllen pesë lokale “Fast Food” në regjionin e Prizrenit, iniciohen gjashtë kundërvajtje

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se në aksionin e inspektimeve në regjionin e Prizrenit, janë mbyllur pesë lokale “Fast Food” (ushqime të shpejta) dhe janë iniciuar gjashtë kundërvajtje.

Në komunikatën për media të AUV-it, thuhet se për inspektimin e lokaleve të gastronomisë të cilat shërbejnë ushqime të shpejta janë angazhuar gjashtë ekipe dhe janë zhvilluar 28 inspektime, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas AUV-it, inspektimet janë zhvilluar sot në komunën e Prizrenit dhe atë të Malishevës.

“Është arritur të realizohen 28 inspektime të detajuara sipas urdhrit të Ministrit të MBPZHR-së dhe Drejtorit Ekzekutivë të AUV-së. Nga 19 inspektimet në Prizren dhe 9 inspektimet në Malishevë janë mbyllur 5 lokale. Janë iniciuar 6 lëndë kundervajtëse. Në dy raste janë shqiptuar gjoba mandatorë. Po ashtu janë asgjësuar 4 kg mish produkte mishi, 33 kokrra vezë dhe 1 kg salcë (sosë)”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se aksionet do të vazhdojnë në gjithë territorin e vendit.

“Secili subjekt qe vendos ne treg produkte ushqimore në kundërshtim me rregullat ligjore do të sanksionohet. Ruajtja e shëndetit të qytetareve është prioritet dhe synim kryesor i AUV-së”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, në një lokal në Malishevë, ditë më par dyshohen se janë helmuar 215 persona si pasojë e konsumimit të ushqimit.

Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Gjakovë, Dega në Malishevë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit K.Sh., pronari i lokalit ku dyshohen se u helmuan 215 persona, në Malishevë.

Më poshtë, “Betimi për Drejtësi” sjellë fotografi nga aksioni i sotëm i AUV-it. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.