03-12-2024

Mbyllet edicioni i “Dokufest 2019”, ja çmimet fituese

“Timebox” nga Nora Agabi ka rrëmbyer çmimin “Best Balkan Documentary” në edicionin e 19-të të “Dokufestit” që për nëntë ditë është mbajtur në Prizren.

Duke kombinuar incizimin e ditëve të sotme me arkivin e gjerë, ky film shpalos një portret intim familjar bashkë me një koleksion personal të pamjeve që dokumenton ndryshimin brenda një strukture politike. Ky film është një kapsulë e bukur kohore e një vendi në ndryshim dhe vlerat e një personi brenda tij, transmeton Koha Ditore.

Adhuruesit e filmave kanë pasur rastin që në këtë edicion të këtij festivali të ndiqnin afër 300 filma të zhanreve të ndryshme.

DokuFest gjithashtu nga edicioni i 19-të do të jetë festival kualifikues për çmimin BAFTA për filmat e shkurtë.

Derisa çmimi “Kineasti i ri më i mirë (Best Balkan Neëcomer)” shkoi për filmin “Centar” nga Ivan Markoviq.

E çmimi i audiencës shkoi për filmi “The Reformist – A Female Imam” nga Marie Skovgaard.

Këta janë fituesit e edicionit të 19-të të Dokufestit:

“Best Balkan Documentary”

Filmi fitues: Timebox nga Nora Agapi

Duke kombinuar incizimin e ditëve të sotme me arkivin e gjerë, ky film shpalos një portret intim familjar bashkë me një koleksion personal të pamjeve që dokumenton ndryshimin brenda një strukture politike. Ky film është një kapsulë e bukur kohore e një vendi në ndryshim dhe vlerat e një personi brenda tij.

“Best Balkan Newcomer”

Filmi fitues: Centar nga Ivan Markoviq

Filmi na shfaq disa prej anëve të fshira të sistemit Kapitalist përmes lenteve të ndërtimit të tij. I përshtatur në një gjuhë të bukur e inovative estetike, ky dokumentar na paraqet mënyrat në të cilat njerëzit po vuajnë për të mbrojtur objektet dhe arkitekturën e ndërtuar nga sistemi.

Çmimi i Audiencës

Filmi fitues : The Reformist – A Female Imam nga Marie Skovgaard

Çmimi Nacional

Filmi fitues: Pick a Name nga Dritëro Mehmetaj

Për shkak të rrëfimit të fortë, që adreson çështje moderne të imigrantëve kosovarë jashtë vendit, aktrimit të mirë, dhe skenave që në mënyrë të vetëdijshme përdorin fuqinë e kinematografisë, juria e kategorisë kombëtare ka zgjedhur fitues Dritëro Mehmetajn me filmin “Zgjedhe një emër”.

Çmimi i Distribuimit

Filmi fitues: “Dëshmia” nga Lum Radoniqi

Çmimi i metrazhit të shkurtë ndërkombëtar

Filmi fitues: Brotherhood nga Meryam Joobeu

“Kemi vendosur ta shpërblejmë një tragjedi greke të kohëve moderne të strukturuar fortë dhe shumë prekëse lidhur me atë se si feja dhe idetë kombëtare mund ta shkatërrojnë një familje. Është një film i incizuar për bukuri që përdor performanca të fuqishme nga aktorë profesionistë dhe jo-profesionistë nën pamjen pedante të një regjisori në zhvillim”, thuhet në deklaratën e jurisë.

Çmimi Special

Filmi fitues: All inclusive nga Teemu Nikki

“Gazmor, shpikës, dhe satirë e mprehtë me një përshkrim të kujdesshëm të asaj çka ndodh kur një burrë e merr pushtetin”.

GREEN DOX

Filmi fitues: Earth nga Nikolaus Geyrhalter

Një paraqitje e fuqishme filozofike për natyrën njerëzore. Me gjuhën e tij mahnitëse vizuale të kombinuar me intervista të zgjedhura me kujdes, regjisori na lë me paradoksin tonë të pandarë: derisa ne e gëzojmë e respektojmë ambientin të cilit i përkasim, megjithatë ne jemi të dhunshëm ndaj tij, të udhëhequr nga një dëshirë materialiste e pashmangshme.

Çmimi Special

Filmi fitues: The hottest August nga Brett Story

Derisa punon portretin delikat të një qyteti në një moment të caktuar, Brett Story në Hottest August jep një ndjenjë të përbashkët të pasigurisë dhe kërcënimit që ngrihet nga kriza klimatike. Me një ritëm unik vizual dhe konstalacion karakteresh, filmi i bënë të dukshme aspektet emocionale të kësaj krize karakterizuese.

Çmim special në kuadër të Green Dox

Filmi fitues: Acid Forest nga Rugilė Barzdžiukaitė

Në Acid Forest, Barzdžiukaitė bënë një krahasim delikat në mes të fyerjes tonë në raport me një specie të padëshirueshëm të zogjve dhe ngurrimit tonë për të pranuar njerëz të kulturave tjera. Ajo që në fillim duket si një film humoristik për natyrën bëhet një portret i zymtë i kohëve tona.

HUMAN RIGHTS DOX

Filmi fitues: Tiny Souls nga Dina Naser

Cilësia e filmave në Human Rights ishte jashtëzakonisht e lartë, duke reflektuar edhe kurimin e shkëlqyer të programit nga ekipi i DokuFest-it edhe nga urgjenca dhe cilësia kinematografike e vetë filmave.

Filmat në këtë kategori adresuan një sërë çështjesh- nga dhunimi deri te shpërngulja nga lufta, nga jetët e refugjatëve dhe padrejtësia në të ashtuquajturat sisteme të drejtësisë deri te ciklet e dhunës urbane dhe varfërisë. Qasjet e tyre të ndryshme artistike ishin drithëruese, të guximshme dhe frymëzuese.

Fitues i Çmimit për Filmin më të Mirë për të Drejtat e Njeriut në DokuFest 2019 është një film i cili na sjell historinë e fëmijëve të zhvendosur për shkak të konfliktit. Filmi fut veprim të protagonistët e vet, duke e ri-imagjinuar jetën në kushte të tmerrshme. Ai shmang viktimizimin dhe i lejon zërat autentik të fëmijërisë të dalin në pah.

Regjisorja në mënyrë të sinqertë i angazhon protagonistët e saj si bashkë-krijues në tregimin e historisë së tyre. Ky film i guximshëm i ngre në këmbë stereotipet për të na sjellë një histori të gëzimit të madh si dhe dhimbjes së madhe. Çmimi i shkoi “Tiny Souls” nga Dina Naser.

INTERNATIONAL DOX – SHORT

Filmi fitues: Wild Berries nga Hedda Bednarszky dhe Marianna Vas

17 filma të ndryshëm ishin në garën e sivjetmë ndërkombëtare për filma të shkurtër kanë përfshirë zhanre të shumëllojshme nëpër spektrin non-fiction – dhe secili ka përfshirë shembuj të jashtëzakonshëm.

Filmi fitues ishte ai i cili kaloi në mënyrën më të hirshme dhe gazmore kufijtë e zhanrit të tij, duke dalë si një vepër e plotë arti brenda kufijve të cenuar të kohëzgjatjes të formatit të filmit të shkurtër.

Regjisorët dhe protagonistët e tyre të rinj na ftojnë në një univers privat, në një ku “rregullat” e një loje kinematografike dalin si bashkëpunim i sinqertë në mes të filmuesve dhe të filmuarve – dhe ky është ai bashkëpunimi i rrallë në të cilin shikuesi përfshihet për të marrë pjesë.

Ajo çka rezulton është një zhytje estetike e mrekullueshme ndijimore misterioze, delikate dhe befasuese në një ambient të veçantë, me sa duket përtej vendit dhe kohës. Këtu përgjegjësia dhe liria ekzistojnë në baraspeshë të harmonishme: një përkujtues që bota, në fund është ajo që ne e bëjmë.

Çmimi për Filmin Dokumentar të Shkurtër Ndërkombëtar në edicionin e 19-të të Dokufest-it në Prizren i shkon filmit “Wild Berries”, nga Hedda Bednarszky dhe Marianna Vas.

INTERNATIONAL DOX – FEATURE

Filmi Fitues: Present. Perfect nga Shengze Zhu

Një film në të cilin harroni vazhdimisht se kush në të vërtetë po filmon dhe se gjithçka shpaloset live. Një arritje e jashtëzakonshme edituese që përzien një kolektiv të tërë “filmuesish” në një tërësi koherente të përkryer.

Një film që vendoset në teknologjinë e sotme për të krijuar një portret të Kinës forma e së cilës dhe principet e formësimit janë të patëmeta: ata që në kushte normale janë të margjinalizuar dhe u ndalohet edhe zëri edhe kamera vendosen dhe vetë-vendosen në qendër të vëmendjes.

Juria në mënyrë unanime e ndau çmimin International Dox Award Feature për filmin Present. Perfect.

BEST BALKAN

Filmi fitues: Timebox nga Nora Arapi

Duke kombinuar incizimin e ditëve të sotme me arkivin e gjerë, ky film shpalos një portret intim familjar bashkë me një koleksion personal të pamjeve që dokumenton ndryshimin brenda një strukture politike. Ky film është një kapsulë e bukur kohore e një vendi në ndryshim dhe vlerat e një personi brenda tij.

​Çmimi Special

Titulli i filmit: On the Water NGA Goran Deviq

Çmimi Special i Jurisë shkon për filmin “On the Water me regjinë e Goran Deviqit për përshkrimin e bukur vizual e jetës së dyfishtë (reale dhe mentale) të protagonistëve, i zhytur në kujtime traumatike të luftës që paraqet një hije në jetët e tyre të tanishme. Filmi është një lëngim prekës dhe i hidhur për një botë të humbur./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.