02-12-2024

Mëngjesin e sotëm mbi 5 mijë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri

Gjatë mëngjesit të sotëm ka patur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku sipas Policisë Shqiptare, vetëm orët e para të mëngjesit kanë hyrë mbi 5000 shtetas, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Ardi Veliu, në orët e para të mëngjesit, ishte për inspektim në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Morinë.

Sipas njoftimit të Policisë, Veliu në Morinë për të parë nga afër zbatimin e masave për përballimin e fluksit.

Njoftimi i Policisë:

Policia kufitare ka shtuar masat me qëllim krijimin e lehtësirave për shmangien e radhëve të gjata si pasojë e fluksit.

“Drejtori Veliu u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor. Ai porositi drejtuesit e Policisë kufitare në Morinë që në raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjetër punonjësit e policisë të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri”, thuhet në njoftim.

Veliu gjatë bisedës me drejtuesit e Policisë kufitare u kërkoi atyre që gjatë sezonit shërbimet e policisë qoftë për pikën e Morinës, qoftë për kufirin e gjelbër të jenë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjithashtu Veliu ka kërkuar rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër, pasi në sezone apo raste fluksesh tendenca për të zhvilluar paligjshmërinë orientohet në kufirin e gjelbër.

Gjatë inspektimit Veliu ka takuar edhe punonjësit e Policisë kufitare të Kosovës. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.