23-04-2024

Mërgimtari Dr. Sabedin Mustafa i dhuron enciklopedi në 24 vëllime bibliotekës në Rahovec

Mërgimtari nga Kosova në Austri, Dr. Sabedin Mustafa, i ka dhuruar bibliotekës komunale “Sulejman Krasniqi” në Rahovec një enciklopedi në gjuhën gjermane me 24 vëllime, me mbi 200 mijë fjalë. Dr. Mustafa jeton dhe punon në Austrinë e Epërme, duke arritur të hapë edhe ordinancën e vet private.

Në njoftim, thuhet se gjatë vizitës që i bëri vendlindjes, dr. Mustafa u ndal edhe në Bibliotekën Komunale, me ç’rast ofroi ndihmën e tij konkrete për pasurimin e fondit librar në këtë bibliotekë. Enciklopedia është vlerë e shtuar për bibliotekën komunale dhe mund t’ju shërbejë studentëve në fusha të ndryshme të shkencës.

Për këtë dhuratë atë e falënderoi shefi i sektorit për Rini dhe Sport pranë DKRS-së Qemajl Krasniqi, duke i dhënë edhe një fletë-falënderim për këtë dhuratë të çmuar. Dr. Sabedin Mustafa ka lindur dhe është rritur në fshatin Potoçan i Ulët, duke arritur nivele të larta të profesionalizmit në mjekësi dhe tani e ushtron këtë profesion me shumë sukses në Austri.

Asnjë koment

Comments are closed.