10-12-2024

Veteranë mashtrues krijuan brigadën “Hasan Prishtina” në 2016

Brigada “Hasan Prishtina” ishte dëgjuar për herë të parë vetëm në vitin 2016. Por numri i madh i veteranëve mashtrues të UÇK-së ka bërë që kjo brigadë të ‘themelohet’ 16 vite pas përfundimit të luftës. Krejt kjo për nevoja të arsyetimit të luftës së disa veteranëve të UÇK-së që nuk luftuan kurrë.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Elez Blakaj, në transkripatat e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit dhe pjesëtarëve të UÇK-së në zonën operative të Drenicës kishte dalë edhe një brigadë.

“Te pika e rendit të ditës reagon edhe Nuredin Lushtaku , duke thënë se në Zonën operative të Drenicës ka dalë në pah edhe një brigadë ‘Hasan Prishtina’, citohet transkripti në aktakuzën e publikuar nga Koha Ditore.

Konfirmimi se kjo brigadë nuk kishte ekzistuar asnjëherë kishte ardhur edhe nga anëtari tjetër i këtij komisioni, Faik Fazliu ndaj të cilit po ashtu është ngritur aktakuzë.

“Me gjithë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje me komandantët e asaj brigade, një gjë e tillë nuk ishte arritur e po ashtu Faik Fazliu e konfirmon atë çfarë thotë Nuredin Lushtaku, se kjo brigadë nuk ka ekzistuar fare”, thuhet në aktakuzë.

Në procesverbalet nga mbledhjet e këtij komisioni në aktakuzën e publikuar, theksohet gatishmëria e deputetit të AAK-së Shkumbin Demalijaj për nënshkrimin e listave të fryra të veteranëve duke e pranuar se lista e tillë është mashtrim.

“Shkumbin Demalijaj rikonfirmon se nga takimi i kaluar ka qenë i gatshëm të nënshkruajë deklaratën e cila po kërkohet, duke deklaruar se ka fryrje në numrin e veteranëve dhe se e mbështet punën e Komisionit”, thuhet në aktakuzë.

Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë; Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Asnjë koment

Comments are closed.