16-04-2024

Merret vendim për 7 të arrestuarit për mashtrim, hyrje në sistemet kompjuterike e pastrim parash

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës  për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve N.S, E.S, D.B, A.J, M.D, K.S, G.S për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale Hyrje në sistemet kompjuterike nga neni 327 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Mashtrimi neni 323 i KPRK-së, Shpëlarje e parave nga neni 302 i KPRK-së dhe i pandehuri N.S edhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, paragrafi 1, të KPRK-së, e ndryshuar në seancën dëgjimore në raport me të pandehurat E.S, A.J, G.S,  në masën e arrestit shtëpiak.
Gjyqtari i  Procedurës Paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të pandehurve N.S, D.B, M.D, K.S  iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin,  masa e paraburgimit të pandehurve iu është caktuar  në bazë të nenit 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2,  pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3  të KPP-së, po ashtu është aprovuar kërkesa e PSRK-së edhe lidhur me të pandehurat E.S, A.J, G.S dhe  të njëjtave iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, për secilën.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Asnjë koment

Comments are closed.