Ministri Hasani qëndron në Malishevë, premton investime në të gjithë vendin
Ministri i Ministrisë për Tregti dhe Industri, Bajram Hasani, i shoqëruar edhe nga shefi i kabinetit të tij, Durim Limaj, sot kanë vizituar Komunën e Malishevës dhe janë takuar me Kryetarin e kësaj komune, Ragip Begaj, nënkryetarin Hajdin Berisha dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Qëllim i kësaj vizite, ishte njoftimi me ecurinë e projekteve në komunë dhe krijimi i mundësive për zhvillim më të madh ekonomik.
Begaj, pasi e ka njoftuar ministrin Hasani për rrjedhat e përgjithshme, ka njoftuar edhe me projektet që është duke i realizuar komuna, me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe krijimin e kushteve për investime në Malishevë.
Ministri Hasani, ka premtuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrisë që ai drejton, pasi qëllimi është që në të gjitha komunat e vendit, të krijohen mundësi më të mëdha për investime, në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik.
Begaj dhe Hasani, janë pajtuar që të vazhdohet bashkëpunimi mes komunës dhe ministrisë, me projekte të përbashkëta, me qëllim të krijimit të mundësive për zhvillim më të madh ekonomik.