24-04-2024

Rrëzohet kallëzimi penal i avokatit Gjini ndaj kryetarit Ymer Hoxha

Avokati Gent Gjini, ka bërë kallëzim penal ndaj kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxhës, për veprën penale kanosje. Kallëzimi i tij është hedhur poshtë nga ana e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Sipas një vendimi të siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal.

Hedhja poshtë e këtij kallëzimi është bërë për arsye se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer ndonjë vepër penale nga kryetari Hoxha.

“Hedhet kallëzimi penal i parashtruar në Prokurorinë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm nga avokati Gent Gjini, ndaj Ymer Hoxha, Kryetar i Gjykatës Themelore në Prizren për shkak të veprës penale kanosje, nga neni 185 të Kodit Penal, sepse nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepër penale”, thuhet në aktvendim.

Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gent Gjini, i cili ushtron profesionin e avokatit ka deklaruar se më 11 prill të këtij viti, vëllai i tij merr një telefonatë nga Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha që të paraqitet te ky i fundit pa ditur shkakun, arsyet dhe rrethanat e takimit.

Sipas deklaratës së dhënë në Prokurorinë Themelore në Prizren, vëllai i avokatit Gjini ka deklaruar se, kryetari Hoxha e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se “.. ju jeni duke e dëmtuar gjykatën dhe autoritetin tim. Si keni mundur të prononcoheni për media dhe kush jeni ju? Ju e keni mbyt veten me këtë lëndë dhe a e dini se çka jeni duke bërë?”.

Gjithmonë sipas deklaratave të paraqitura në aktvendim, vëllai i avokatit Gjini i kishte thënë Hoxhës që nuk është duke biseduar me Gent Gjinin, por me të vëllain ndërsa, kryetari Hoxha ia kishte kthyer se ‘Genti le të vijë në zyrë në orën 13:15 përndryshe unë jam ai shef që kam me i bë kallëzim penal dhe do ta largoj nga detyra e avokatisë’.

Pas bisedës telefonike, Gent Gjini dhe i vëllai janë drejtuar për në zyrën e Kryetarit të Gjykatës në Prizren, Ymer Hoxha, ku më pas ky i fundit sipas aktvendimit i është drejtuar me fjalët ‘..si mundesh me dalë në televizion dhe të prononcohesh, je ende i vogël ti të merresh me këto punë. Me këtë lëndë ti e ke shkatërruar veten dhe gjithë karriera jote përfundoi, nëse vazhdon të më dëmtosh autoritetin tim, më mirë ju lironi qytetin e Prizrenit dhe gjeni një vend tjetër se nuk ju toleroj me dalë e me u prononcu për media’.

Në deklaratën e dhënë në P.Th. në Prizren, kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, kishte thënë se avokati Gjini e ka lajmëruar për një takim për të sqaruar situatën e një të mbrojturi të Gent Gjinit.

“Në lidhje me pohimet e avokatit Gent Gjini në parashtresën  e tij drejtuar të gjithë institucioneve dhe ambasadave se gjoja unë e kam kërcënuar me largim nga Prizreni, do ta humbasësh vendin e punës së avokatit, asnjë nga këto nuk qëndron, sepse nuk kam pasur arsye, nuk kam asgjë personale me avokatin, nuk është në natyrën time të kërcënoj dikë…”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxhës./kallxo.com/

 

Asnjë koment

Comments are closed.