Ministria e Arsimit kërkon falje pas publikimit të fotos me gjestin e turpshëm

Një zyrtar i Ministrisë se Arsimit ka postuar një foto të vetën duke e ngritur gishtin e mesëm në faqën zyrtare të MASHT.

Pas kësaj ka reaguar Zyra për Media e këtij resori, duke sqaruar se ai kishte për detyrë që të postonte fotot nga aktiviteti i kryeministrit Kurti dhe ministres Nagavci. Por, postoi veten në faqen zyrtare të MAShT’it në Facebook. Edhe atë duke e ngritur gishtin e mesëm.

Zyra për media e Ministrisë së Arsimit i ka kërkuar falje qytetarëve duke u arsyetuar se kjo ka ndodhur për shkak se janë staf i pakët dhe që punojnë pa orar.

Postimi i plotë:

Sot, gjatë publikimit në rrjetin social zyrtar të MAShTI në facebook të komunikatës për vënien e gurëthemelit të shkollës së re në Ponoshec, zyrtari gabimisht e ka publikuar edhe një foto që nuk ka pasur të bëjë me ngjarjen. Edhe pse, shumë shpejt ka reaguar dhe e ka larguar, kjo foto u bë lajm.

Në emër të Divizionit për Komunikim Publik të MAShTI, i kërkoj falje medieve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për këtë lëshim të paqëllimshëm.

Jemi përpjekur që të jemi gjithmonë në nivel të detyrës, me staf të paktë në numër e me punë shumë dhe, siç e dinë të gjithë ata që punojnë në komunikim me publikun, pa orar dhe në kushte e rrethana jo gjithmonë të lehta, në mënyrë që ta sjellim sa më shpejt lajmin te JU! Prandaj, edhe mund të gabojmë dhe për këtë kërkojmë falje dhe mirëkuptimin tuaj!

Do të vazhdojmë me përkushtim punën, në mënyrë që të jemi në shërbim të medieve e qytetarëve brenda përgjegjësive që kemi, për të garantuar transparencën e MAShTI-t në raport me publikun.

Sinqerisht,

Besa Bytyqi, udhëheqëse e Divizionit për Komunikim Publik në MAShTI