Ministrja ua jep veturat zyrtare pas orarit këshilltarëve dhe sigurimit
Pak ditë pasi ka marrë detyrën në Qeverinë e re, e cila është zotuar për kursim shpenzimesh, ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi, ndër vendimet e para që ka nënshkruar janë në kundërshtim me zotimin e ekzekutivit të ri.
Ministrja Rexhepi është kujdesur që 3 këshilltarët e saj dhe sigurimin e afërt t’i pajisë me vetura zyrtare.
Në 4 vendime të ndryshme, ministrja në Qeverinë Kurti ua ka mundësuar shfrytëzimin e veturave zyrtare edhe pas orarit të punës në një afat të pacaktuar.
Të gjitha këto vendime mbajnë firmën e ministres Rexhepi, dhe janë marrë nga 10 deri më 21 shkurt.
KTV-ja ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Pushtetit Lokal për arsyet e marrjes së këtyre vendimeve, por nuk ka marrë përgjigje.
Vendimet janë bazuar në udhëzimin Administrativ 03\2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës.
Neni 3.3 i këtij udhëzimi, të cilit i është referuar Ministria e Pushtetit Lokal, thotë se në raste të caktuara u lejohet nëpunësve të caktuar shfrytëzimi i automjeteve zyrtare.
Gjithashtu thuhet se kjo mund të bëhet për specifika të posaçme me vendim të ministrit, sekretarit të përhershëm dhe udhëheqësit më të lartë të organizatës buxhetore të institucionit përkatës.
Shfuqizim të menjëhershëm të këtyre vendimeve kërkon shoqëria civile.
Visar Rushiti nga “Demokracia Plus” i cilëson ato të pabazuara dhe i quan keqinterpretim të udhëzimit administrativ për përdorimin e automjeteve zyrtare.
Për këto vendime të ministres së Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi, KTV-ja ka kërkuar përgjigje edhe nga Zyra e Kryeministrit, por as ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Një tjetër vendim që ka nënshkruar ministrja Rexhepi më 14 shkurt ka të bëjë me shfuqizimin e ndalimit të mëditjeve për udhëtimet zyrtare jashtë vendit.
Ministrja e Pushtetit Lokal së bashku me sekretaren e përgjithshme të kësaj ministrie kanë udhëtuar gjatë së martës në Amerikë.
Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti ka premtuar se do të kursejë paranë publike.
Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti ka premtuar se do të kursejë paranë publike.