Mirëpriten sanksionet e Amerikës për të korruptuarit
Qeveria e Kosovës po vazhdon të qëndrojë e heshtur kundrejt thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për largim nga pozita të zyrtarëve të lartë ndaj të cilëve ka të ngritura aktakuza.
Zyrtarët qeveritarë nuk i kanë komentuar as sanksionet që Ambasada e SHBA-së i ka vendosur kundrejt këtyre personave.
Analistët politikë në vend thonë se edhe ambasadat tjera duhet të veprojnë njësoj, duke izoluar tërësisht politikanët e korruptuar.
Pas shpërfilljeve të qeverisë “Haradinaj” ndaj thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për largim nga pozitat e larta zyrtare të individëve të dënuar për krime lufte, nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës zyrtare, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka marrë një tjetër veprim.
Të enjten kjo ambasadë ka vendosur që këta persona, të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit, të mos marrin viza për të udhëtuar në Amerikë.
Ambasada ka përmendur individët e përfshirë në rastet “Pronto”, rastin e vizave italiane, ikjen nga burgu i Dubravës, rastin “Toka” dhe “Apex”-in, si dhe në raste të tjera të ngjashme.
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që mban individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese.
“Lidhur me këtë Ambasada e SHBA-së është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos u lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes ose turizëm”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada. Mirëpo edhe këtë vendim të Ambasadës Qeveria e Kosovës ka vendosur ta shpërfillë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, për “Zërin” ka deklaruar se Qeveria nuk i komenton veprimet e tilla, pasi që janë politikë e vet shteteve përkatëse.