Një situatë e mjegullt është krijuar në Prizren, pas njoftimit për anulimin e konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave nga ana e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, transmeton ‘gazetaeprizrenit.net’.
Ky vendim ka vënë në situatë dileme edhe Komisionin për ankesa dhe parashtresa që vepron në kuadër të Komunës së Prizrenit, pasi po duket se e ka të vështirë të veprojë për të vendosur, derisa kanë filluar t’i adresohen ankesa nga kandidatët, emrat e të cilëve nuk ishin në listën fituese.
Sipas burimeve të portalit “gazetaeprizrenit.net” Komisioni për ankesa, ka dilema si të veprojë për shkak se ende nuk dihet nëse është bërë apo jo anulimi i konkursit.
Në këtë kontekst njohës të çështjeve juridike, janë të ndarë në dy mendime. Vetëm me kushtin e anonimitetit, disa thonë se konkurset anulohen me vendim e jo me njoftim, që sipas tyre në rastin konkret mungon numri i protokollit, vula e nënshkrimi, ndërsa disa të tjerë mendojnë se çdo gjë që publikohet në faqet zyrtare të institucioneve është valide.
Haskuka ndërkaq për anulimin e konkursit ka njoftuar në faqen e komunës dhe në profilin e tij të “facebook-ut”. Pas këtij njoftimi, ai është nisur për një vizitë në Kroaci dhe nuk dihet nëse është kthyer nga atje.
Në anën tjetër, drejtori komunal i arsimit, Skënder Susuri, një ditë më parë derisa mbrojti qëndrimin e tij rreth procesit të përzgjedhjes së drejtorëve të disa shkollave, të cilin e ka vlerësuar si të rregullt, ka thënë se gjatë një takimi me Haskukën, e pret edhe zgjedhjen e problemit pas anulimit të konkursit.
“Zvarritja e këtij procesi do të sjellë shumë sfida të reja në procesin arsimor nga viti i ri shkollor” i ka thënë Susuri, televizionit lokal të Prizrenit, duke shtuar se nëse vijon të mbetet në fuqi vendimi për anulim të konkursit, ai do t’i drejtohet organeve kompetente për të ankimuar vendimin në fjalë./gazetaeprizrenit.net/