16-04-2024

Kalimi në çerekfinale, ankth dhe delir mes tifozëve anglezë (video)

Mbrëmjen e së martës, Anglia theu një tabu futbollistike. Ajo arriti të fitojë për herë të parë një ndeshje të një turneu futbollistik pas gjuajtjeve të 11-metërshave.

Në Botërorin e Rusisë, “Tre Luanët” e Gareth Southgate fituan lotarinë e penalltive kundrejt Kolumbisë, për t’u kualifikuar për në çerekfinale, duke çuar në delir të gjithë vendin ishullor.

Por, kjo ndeshje pati një pështjellim ndjenjash te tifozët anglezë, që nga minuta e parë e deri te penalltia e fundit. Harry Kane bëri që në Londër e në të gjitha qytetet angleze, me mijëra e mijëra persona të shpërthejnë në festë.

Gjithçka po shkonte për mrekulli për Anglinë, deri në momentin kur Kolumbia barazoi me Yerri Minën, duke ngrirë festën e tifozëve anglezë.

Kohët shtesë i mbajtën të gjithë në ankth, ndërsa kulmin e patën në momentin e ekzekutimit të 11-metërshave. Kjo ishte frika më e madhe e të gjithë anglezëve, por në fund fati ishte me ta.

Uribe dhe Bacca gabuan për ekipin amerikano-latin, duke u dhënë mundësinë anglezëve të shpërthejnë zyrtarisht në festë./TCH/

Asnjë koment

Comments are closed.