Mjeku i Spitalit të Prizrenit, Sebajdin Gjini po hetohet për korrupsion
Gjinekologu i Spitalit të Prizrenit, Sebajdin Gjini, është duke u hetuar për korrupsion nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“, Prokuroria ka bërë të ditur se Gjini po hetohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, tashmë ka inicuar aktvendim për fillimin e hetimeve për të pandehurin S.Gj., në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Aktualisht, jemi në fazën e hershme të grumbullimit të informacioneve dhe provave të nevojshme lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ndërkohë, Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, kishte liruar gjinekologun Sebajdin Gjini nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të Repartit të Gjinekologjisë/Obsterikë në këtë Spital.
Lirimi i Gjinit nga kjo pozitë, kishte ndodhur pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” me titull “Referimet e pacientëve në klinika private”, ku tregohej se si doktori Gjini kishte referuar një paciente në spital privat, për të kryer lindje cezariane të parakohshme./Betimi për Drejtësi