Mjeku Ramadan Sopaj nga Malisheva, kërkon që të lirohet nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Mjeku familjar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), “Shpëtim Robaj, në Malishevë, Ramadan Sopaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konflikt interesi, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij, të hudhet poshtë.
Ai akuzohet se prej 25 gushtit 2017 e deri më 2 prill të vitit 2018, u ka përshkruar terapi pacientëve me barnat që e ka furnizuar barnatoren në Malishevë djali i tij, Shpend Sopaj, i cili punonte në depon farmaceutike “EP-DEA”, Prishtinë.
Kërkesën për hudhjen e aktakuzës, a ka bërë mbrojtësi i tij, avokati Rrahmon Kastrati, i cili e ka konsideruar këtë aktakuzë si të pabazuar, duke shtuar se nuk ka prova për të dëshmuar fajësinë e klientit të tij,
“Andaj aktakuza si e tillë duhet të hudhet dhe të pushohet rrjedha e procedurës penale ndaj të mbrojturit tim”, ka thënë avokati Kastrati.
Por, një kërkesë të tillë, e ka kundërshtuar prokurori i rastit, Agron Matjani.
“Sa u përket kundërshtimeve të mbrojtësit të të akuzuarit Ramadan Sopaj, nuk qëndrojnë pasi që si mjek familjar pranë QKMF-së në Malishevë, ka lëshuar 2987 terapi të njëjtat që i kanë shpërndarë fëmijët e tij, që kanë punuar në firmën farmaceutike në Prishtinë. Kjo i ka mundësuar që fëmijët e tij të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga shitja e tyre. Andaj aktakuza ka prova të mjaftueshme lidhur me veprat penale. I propozoj gjykatës që kërkesën e mbrojtësit ta hudhë si të pabazuat”, ka thënë prokurori Matjani.
Gjykatësi i rastit, Nikollë Komani, ka thënë se lidhur me propozimet e palëve, do të vendos me aktvendim të veçantë të arsyetuar, e ku sipas tij, më pas do të njoftohen palët në procedurë.
Në seancën e 28 gushtit i akuzuari Ramadan Sopaj, ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, aktakuzën ndaj mjekut Ramadan Sopaj e ka ngritur më 24 korrik të vitit 2018.
Sipas aktakuzës, Ramadan Sopaj, akuzohet se më 25 tetor 2017 e deri më 02 prill 2018, në cilësinë e personit zyrtar, mjek familjar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Shpejtim Robaj”, në Malishevë, ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim që të sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për veti dhe për të tjerët – fëmijëve të tij Shpend dhe Qëndrim Sopaj, si dhe të shkaktojë dëm të tjerëve, duke shkelur nenin 26 par.1 të Ligjit për Shëndetësi, të sektorit farmaceutik.
Sipas aktakuzës, ai akuzohet se 2957 pacientëve (me emra të mbrojtur), u kishte përshkruar terapi me sirupa “dea herbal”, “fero force” dhe “deasan” me ampulat “eselan”, “neo endosix”, “nipogalin”, duke mos përshtatur as tabletat me emrat “fero force” dhe “neo endosix”, të cilat sirupa dhe ampula i furnizonte djali i tij, Shpend Sopaj, i cili punonte ne depo farmaceutike EP-DEA në Prishtinë.
Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “ konflikt interesi”.