Mjeku shqiptar në Zvicër tregon përvojën e tij pas vaksinimit kundër koronavirusit
Mjeku shqiptar, i cili punon në Spitalin Regjional në Langenthal të Zvicrës, Dr. Mentor Bilali, është vaksinuar së fundmi, me llojin e vaksinës Moderna
Vaksinimi ndaj koronavirusit në Zvicër filloi në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas. Sipas kategorive të ndara, grupet me përparësi për vaksinim janë njerëzit që janë veçanërisht në rrezik ndaj Covid-19, pastaj punonjësit shëndetësorë që kujdesën për ata me rrezik të lartë, e kështu me radhë.
Mjeku shqiptar, i cili punon në Spitalin Regjional në Langenthal të Zvicrës, Dr. Mentor Bilali, është vaksinuar së fundmi, me llojin e vaksinës Moderna.
Në një prononcim për albinfo.ch, ai tregoi për përvojën e tij sa i përketë vaksinimit kundër virusit Covid-19.
“Nuk ka qenë asnjëherë dyshimi se a do ta marr vaksinën apo jo, por gjithmonë ka qenë pyetja kur do e marrë dhe kur më vjen rendi. E dje më erdhi rendi, sipas kategorive që ishin paraparë, kështu që e kam marrë vaksinën, shumë mirë kam kaluar. Vaksinën e dytë do ta marr pas një muaj, lloji i vaksinës është Moderna”, tha Dr. Mentor Bilali.
Mjeku po ashtu tregoi nëse ka pasur ndonjë efekt anësor dhe arsyen pse është vaksinuar, përcjell albinfo.ch.
“Nuk kam pas asnjë efekt anësor, po e ndjej vetën shumë mirë, e vetmja që po e vërej është pak një dhimbje e lehtë te muskujt këtu ku e kam marrë vaksinën, si çdo vaksinë, përndryshe shumë mirë jam duke kaluar deri më tani. Vaksinimi im ka qenë shumë i arsyeshëm, duke pas parasyshë përgjegjësitë që i kam së pari si individ ndaj shëndetit tim, dhe ndaj shëndetit të shoqërisë tonë”, u shpreh ai.
Ndërsa, nuk la pa i cekur edhe diskutimet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në rrjete sociale sa i përket vaksinimit, të cilat i cilësoi si të pabaza shkencore, përcjell tutje albinfo.ch.
“Arsyeja që e kam postu këtë në rrjete sociale, është se e kam vërejtur që në shoqërinë tonë ka pas shumë skeptizëm në këtë drejtim, a bën me marrë apo jo vaksinën, dhe diskutime të tjera rreth vaksinimit të cilat janë pa bazë shkencore. Prandaj, për momentin nuk ka asnjë arsye relevante me përjashtim në disa raste të veçanta shëndetësore për mos me e marrë vaksinën, shkenca aktuale e dokumenton dhe evidenton se vaksinimi është i sigurt dhe efektet anësore janë të njëjta sikur të vaksinave tjera të zakonshme. Dhe vaksinimi është e vetmja mënyrë për me e tejkalu këtë pandemi”, përfundoi Bilali.
Dr. Mentor Bilali, që nga 1 janar 2021, ka marrë përsipër menaxhimin e përgjithshëm mjekësor të qendrës gastroenterologjike, hepatologjike dhe endoskopisë në spitalin SRO Langenthal dhe në ordinancën Oberaargau AG në Langenthal.