Në Rahovec mbrëmë nisi edicioni i tretë i festivalit kombëtar të muzikës klasike për të rinj “DoReMi-Unë dhe ti”, nën drejtimin e profesorit të muzikës Naser Dula.
Në ceremoninë e hapjes, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi përgëzoi organizatorët e shkollës së ulët të muzikës “Faik Sylka” si dhe siguroi se do të vazhdojë mbështetja institucionale për këtë festival, që po mbledh entuziastë të muzikës klasike nga të gjitha shkollat në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.
Ai ka vlerësuar se kjo ngjarje dhe ato që tashmë kanë krijuar traditë, siç janë festivali i muzikës folklorike “Anadrinia jehon” në Dejnë e që nis më 11 maj dhe festa tradicionale e rrushit “Hardh Fest” po e bëjnë komunën e Rahovecit arenë festivalesh.
“Këto do të ndikojnë pozitivisht në jetën e banorëve të kësaj zone të pasur me kulturë e traditë popullore, duke e bërë vend të këndshëm për t’u vizituar. Kur kësaj i bashkohet edhe tradita e mikpritjes e bujarisë, atëherë besojmë se Rahoveci me rrethinë po rikthehet në traditën e lashtë kulturore”, ka thënë Latifi.
Mysafir special i këtij Festivali ishte kompozitori dhe Artisti i Merituar, Zhani Ciko, i cili potencoi se nuk është për herë të parë në Rahovec dhe kjo zonë mund të krahasohet me një “minierë me artistë të shumtë”. Ai përgëzoi organizatorët dhe u shpreh i bindur në vazhdimin e kësaj tradite të mirë dhe fisnike.
Drejtori i Festivalit, Naser Dula përgëzoi kolegët që e ndihmuan për të organizuar këtë edicion, si dhe falënderoi shkollat e muzikës nga të gjitha trojet shqiptare për pjesëmarrje.
Festivali i muzikës klasike për të rinj “DoReMi – Unë dhe Ti” ka karakter garues, ndërsa në juri janë përcaktuar njohës të muzikës klasike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Festivali zgjatë tri ditë, deri me 4 maj 2018, duke nisur në orën 18:00 në qendrën e kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec.