06-02-2025

“Mos u mashtroni nga Kurti se është i afërt me SHBA”, djali i Presidentit Trump e shpërndan postimin e Grenell

Djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr, e ka rishpërndarë postimin që emisari për Misione të Posaçme, Richard Grenell, e ka bërë dy ditë më parë në lidhje me qëndrimin e Qeverisë Kurti.

Richard Grenell, i dërguari special i ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka adresuar kritika të ashpra ndaj kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, duke e quajtur atë jo të besueshëm dhe duke hedhur poshtë pretendimet e tij për afërsi me SHBA-në.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Grenell dy ditë më parë iu drejtua qytetarëve të Kosovës përmes platformës “X”, duke thënë se Kurti po mashtron publikun.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqe në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria e Kurtit nuk ishte e tillë as gjatë mandatit të Trump, as gjatë mandatit të Biden-it. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për veprimet e tij të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po këtë mendim e kanë edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit,” shkroi Grenell.

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Postimi i plotë i Grenell:

“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri… dhe shumë miq në Serbi dhe në gjithë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqe për të gjithë në Ballkan.

Por na duhen partnerë të besueshëm.

Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si Republikanët ashtu edhe Demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për marrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.

Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit.

Kurti ka qenë kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump.

Retorika që përdor Kurti tani, duke pretenduar se është afër SHBA-së dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është plotësisht e rreme. Mos u mashtroni.”

 

Asnjë koment

Comments are closed.