27-07-2024

Mulliri mbi 400 vjeçar i Kushninit të Hasit (Video)

Disa km larg Prizrenit, në fshatin Kushnin, ndodhet mulliri mbi 400 vjet i vjetër.

I ndërtuar me gurë e i vendosur mbi rrjedhën e ujit, ai vazhdon t’u mbijetojë kohërave, raporton emisioni SOT në KTV.

E ai që e hap derën e këtij mulliri çdo mëngjes në orën 7:00, është 85-vjeçari Selmon Shatri. Ecja e tij e ngadaltë e rrudhat në fytyrë, reflektojnë moshën që ka.

Megjithatë, ai thotë se puna që e bën e mban ende gjallë.

Sipas Shatrit, ai është brezi i 5-të që e ka trashëguar këtë zanat.

Në trekëndëshin prej druri të kthyer mbrapsht, vendosen kokrrat e misrit. E ato, përmes hinkës, bien në gurin që rrotullohet nga fuqia e rrjedhës së ujit.

Shatri thotë se misrin e ka mbjellë vetë. Çmimi i 1kg misri të bluar është 1 euro.

Ndonëse mullinjtë që punojnë me ujë janë të paktë në Kosovë, sipas Selmon Shatrit, as shteti nuk e përkrah punën e tyre.

Me bindje në këtë, rrëfen se si ai qe një kohë të gjatë punon pa drita, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Edhe pse disa km larg qytetit, sipas Shatrit, konsumatorë të tij nuk janë vetëm banorët e kësaj ane.

Dyert e këtij mulliri mbyllen në orën 16:00.

Asnjë koment

Comments are closed.