12-12-2024

Mungesa e lokacionit rrezikon investimin prej 130 mijë euro për Qendrën e Shëndetit Mendor në Prizren

Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren rrezikon ta humbas një investim kapital prej 130 mijë euro,  për ndërtimin e Njësisë së Shëndetit Mendor për Fëmijë dhe adoleshentë, në mungesë të një lokacioni për vendosjen e objektit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Gati prej dy vitesh as njëra nga qeverisjet lokale të Prizrenit, as ajo e kaluara e Ramadan Mujës e as kjo e Mytaher Haskukës nuk kanë mundur ta gjejnë një truall, në sipërfaqe 8-10 ari për realizimin e këtij projekti.

Naim Fanaj, drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor dhe Shtëpisë për Integrim në Bashkësi, tha se përkundër kërkesës, deri tash nuk ka marrë asnjë përgjigje.“ Ne veprojmë në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSUK) prej të cilit kemi një investim kapital, i cili në rast se Komuna e Prizrenit nuk mund ta sigurojë vendin, atëherë mund ta bartë në ndonjë  pozicion apo komunë tjetër”, tha ai përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Ndryshe, siç shihet edhe në shkresë,  fillimisht QSHM kërkesën e ka bërë në janar të vitit 2017,  ndërsa e ka përsëritur edhe në prill të këtij viti, duke ia adresuar kryetarit Haskuka, kryesuesit të KK-së, Artan Abrashi si dhe Drejtorisë së Urbanizimit në Prizren.

Në arsyetimin dërguar komunës, pasi njoftohet për aktivitetin e QSHMFA-së thuhet se aktualisht qendra është e vendosur në lokalet e Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe për mungesë kushtesh punon vetëm në dy dhoma, pa pasur mundësinë që as për së afërmi të ofrojë shërbime për këtë kategori.

“Përkundër kësaj, vetëm gjatë vitit 2017, kjo qendër ka kryer 1.142 seanca psiko-terapeutike, 634 prej të cilave seanca individuale. Është punuar me 669 klientë, prej të cilëve 199 kanë qenë raste të reja, që kanë kërkuar shërbime të shëndetit mendor gjatë këtij viti”, thuhet në kërkesën drejtuar komunës./ GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.