Mungesa e objektit publik, pengon një projekt për lëmoshëkërkuesit në Prizren
Gjetja e një objekti për qëndrim 24 orësh, po paraqet vështirësi për Komunën e Prizrenit, për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së lëmoshkërkuesve , të cilët pothuajse e kanë shndërruar qendrën e qytetit “shatërvan” në kamp të tyre, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.
Pas disa shqetësimeve të ngritura, Komuna ka nisur bashkëpunim me organizatën gjermane “Terre Des Home”, të dëshmuar për trajtimin e lypsarëve.
Drejtori për Mirëqenie sociale në Prizren, Fejzë Kabashi, ka thënë se problem po paraqet gjetja e një objekti për qëndrim 24 orësh të lëmoshëkërkuesve, por se bashkëpunimi me organizatën është duke vazhduar dhe se në Qendrën për Punës Sociale është punëtorja e angazhuar nga ta dhe kryen punë ditore.
“Do mundohemi edhe objektin ta sigurojmë që të kryejmë trajtimin 24 orësh, por tash për tash s’po mund të gjejmë objekte të lira në pronësi komunale”, ka thënë për portalin “Gazeta e Prizrenit” ai, derisa ka shtuar se në ardhmen do të ndërtohet objekt për ditor për fëmijët me situatë rruge.
Zyrtarët thanë gjithashtu se ndërkohë po pritet edhe ligji i ri që edhe do t’i qartësojë gjërat se si të trajtohet ky fenomen.
Sipas projektit, parashihej që policia çdo mëngjes t’i mbledh të gjithë ata që shihen duke lypur nëpër rrugë.
Sistemimi i tyre, shumica fëmijë, por edhe gra e të rritur parashihej të bëhet vullnetarisht, e në rast se kjo nuk ndodh, atëherë lypsarët të cilët hasen nëpër rrugë do të kapeshin nga policia, për t’u dërguar në qendër, ku do të ketë ushqim dhe edukim dhe trajtimi psikologjik për ta. Sipas zyrtarëve, më vonë Komuna synon ndërtimin e një qendre të tillë.
Referuar shifrave të policisë rajonale në Prizren, dyshohet se janë rreth 50 lypsarë, pjesa më e madhe nga Shqipëria, që operojnë kryesisht në qendër, duke krijuar një imazh tepër të keq për qytetin, aq më tepër tek të huajt që nuk janë të rrallë në këtë qytet.
Por, shumica e lypsarëve nuk janë tregues i solidaritetit shqiptar, por tregues i fuqisë së tutorëve, që detyrojnë këtë kategori të lyp. Këtu shfrytëzohet edhe indiferenca e shtetit ndaj këtij fenomeni, shfrytëzimit të qenieve njerëzore, etj.
Edhe policia dyshon se dikush qëndron prapa kësaj dukurie, duke sjellë lypsarët në grup në Prizren. Pas fillimit të projektit ai nuk do të ketë leverdi, pasi ata do të mbyllen dhe nuk do t’i sjellin ndonjë fitim askujt.
Reagimet e deritashme të policisë në Prizren, për të larguar lypsarët nuk kanë qenë të mjaftueshme. Në këtë raste jepet ideja se veprohet sa “për sy e faqe”, kur dihet se pas dy-tri dite rikthehet e njëjta gjendje, ndërsa nuk ka reagim të sërishëm nga policia.
Nëse dikush ka nevojë për asistencë sociale, kjo duhet dhënë nga shteti, pasi të jetë verifikuar gjendja. Assesi nuk duhet lejuar që lypsaret në rrugë të shndërrohen një panoramë të shëmtuar “Welcome To Prizren”! /GazetaePrizrenit.net/