25-04-2024

Mungon gjykatësja, dështon gjykimi për vjedhje të rëndë dhe blerje të sendeve të vjedhura

Mungesa e gjykatëses së çështjes, Sabaheta Kurteshi, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Besar Shabani, si dhe të akuzuarve për blerje të sendeve të vjedhura, Vahit Muhamedi dhe Sabir Qemaledini.

Gjykatësi Bekri Vehapi, i ka njoftuar palët se gjykatësja e rastit, Sabaheta Kurteshi ndodhet në udhëtim jashtë vendit.

Prezent në seancën e paraparë për të mërkurën, ka qenë edhe prokurori Besim Susuri, si dhe tre të akuzuarit.

Seanca e radhës për këtë rast nga gjykatësi Vehabi, është shtyrë për kohë të pacaktuar .

Sipas aktakuzës, Besar Shabani akuzohet se në muajin shkurt të vitit 2013, në fshatin Brodosan, me qellim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, shfrytëzon momentin e volitshëm të mos prezencës së të dëmtuarit Samet Shabani, i cili gjendet në Gjermani dhe hyn me forcë në shtëpinë e tij.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari, duke thyer derën e hyrjes dhe derën e dhomës dhe nga aty vjedh xhaketën e firmës “Polo”, dy kostume për meshkuj, tri palë këpucë për meshkuj, si dhe dy palë veshje sportive për meshkuj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ai gjithashtu nga aty ka rritur të merr edhe dy komplete të argjendit, një aksesor argjendi dhe disa unaza, dy jelekë tradicional për nuse dhe enë të ndryshme, me ç ’rast të dëmtuarit i shkakton dëme materiale në vlerë prej 4000 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet të ketë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë, nga neni 327, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Ndëraq, sipas aktakuzës, Vahit Muhamedi dhe Sabir Qemaledini, akuzohen se në vitin 2013, në fshatin Brodosan, blejnë, pranojnë apo fshehin sende për të cilat kanë mundur të dijnë se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, pra me anë të veprës penale.

I pandehuri Vahit Muhamedi, sipas aktakuzës, ka blerë nga i pandehuri Besar Shabani, gjësende si stoli prej argjendi, kostume të meshkujve, peshqirë, jorgan, me shumën prej 150 euro, shumë kjo e cila nuk është ekuivalente me çmimet e tregut.

Ndërsa, i pandehuri tjetër Sabir Qemaledini, akuzohet se ka blerë gjësende të ndryshme nga i pandehuri Besar Shabani dhe atë disa palë këpucë për femra dhe një të njëjtat i kishte paguar me vlerë prej 25 euro, çmim i cili nuk është ekuivalent me çmimin e tregut.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “blerja, pranimi, ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.