Muriq, portieri i ndeshjeve të Kupës që e ka në qejf Guardiola
Ishte gushti i vitit 2018 kur një britmë e madhe u dëgjua në kampin “Etihad”, ku po stërviteshin lojtarët e Manchester Cityt. Shumë shpejt, futbollistët e Cityt kuptuan se ndodhi diçka e keqe.
Trajneri Pep Guardiola dhe lojtarët vrapuan drejt bashkëlojtarit, i cili ishte shtrirë në tokë nga dhimbjet. Lojtari i pafat ishte portieri Claudio Bravo që sapo kishte këputur ligamentin. Dhe, papritmas te kampioni i Anglisë u paraqitën telashe për pozitën e portierit të dytë. Portier i parë ishte dhe është Edersoni, por zëvendësi i tij duhej gjetur, pasi Joe Hart e Angus Gunn ishin liruar kohë më parë, përcjell Koha Ditore shkrimin e Goal.com.
Duke mos ditur se çfarë të veprojnë, te City u përmendën disa emra, kurse i pari në listë ishte Keylor Navas që kishte humbur vendin e titullarit te Real Madridi pas transferimit të Thibaut Courtoisit. Kur të gjitha mediumet e quanin të kryer punën e Navasit te City, ekipi veproi ndryshe dhe befasoi.
Vendosi që Bravon ta zëvendësojë me portierin Arijanet Muriq, të cilin para tre javësh e kishte huazuar për të fituar përvojë në Holandë, te NAC Breda.
City urdhëroi Muriqin të kthehet nga huazimi dhe prej asaj kohe, 19-vjeçari është portieri i dytë tek ekipi që synon të mbrojë titullin e kampionit këtë edicion.