19-04-2024

Muriqi nuk kthehet në Turqi

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk i ka përmbushur pritshmëritë në tetë ndeshjet e tij të para me fanellën e Lazios. Kjo ka bërë që qysh tash të nisin spekulimet për një largim të mundshëm të tij në janar. Në fakt, një kthim të prizrenasit në Turqi te rivali i Fenerbahçes, Galatasaray e kanë paraqitur si mundësi mediat turke. Edhe më shumë zërat janë rritur pas raportimit për largimin e mundshëm të Radamel Falcaos nga Galatasaray gjatë afatit kalimtar të janarit.

Por, është menaxheri i Muriqit, Haluk Canatar që ka mohuar thashethemet duke u deklaruar në lidhje me të ardhmen e sulmuesit shtatlartë.

“Vedati nuk ka mundur ta dëshmojë veten për shkak të problemit me lëndim në fillim të sezonit e më pas ai kishte një problem edhe me koronavirus. Pritjet e Vedatit në Itali janë të mëdha. Pretendimet e Galatasarayt nuk janë përfundimisht të vërteta”, ka thënë Canatar, njofton gazeta turke “Hurriyet”.

Muriqi 26-vjeçar, te skuadra e Lazios u transferua në shtator për 20 milionë euro, por tarifa e transferimit mund të rritet për 2.5 milionë euro.

Në mediumet italiane emri i Muriqit është përfolur për mundësinë e kalimit te Fiorentina. Është menaxheri i famshëm italian, Danilo Caravello që e ka dhënë këtë informatë për mediumet në Itali. Ai ka thënë se e ardhmja e Muriqit te Lazio është duke u diskutuar seriozisht.

“Ne nuk e kemi parë shumë Vedatin këtë sezon, por nuk duket si një sulmues funksional për lojën aktuale të Lazios. Kjo nuk do të thotë se nuk është një sulmues i mirë, mbase Lazio ka nevojë për një sulmues me një karakter tjetër të lojës. Vedati është më shumë një sulmues që pret në zonën e penalltisë. Por, plani i lojës së Lazios nuk është i përshtatshëm për këtë mënyrë të lojës. Ndoshta Fiorentina mund të jetë skuadra ideale për të. Fiorentina është një skuadër që i mungon një sulmues i tillë. Castrovilli dhe Ribery po hasin probleme në përfundimin e aksioneve të tyre”, ka thënë Caravello.

Për shkak të problemeve me lëndime dhe koronavirus, Muriqi humbi edhe ndeshjet kryesore të Kosovës.

Muriqi e ka nisur karrierën te skuadra kosovare, Liria. Në vitin 2013 u largua në drejtim të Teutës, derisa karrierë ka bërë edhe te Besa e Kavajës si dhe në Turqi te Giresunspori, Gençlerbirligi dhe Rizespori. Ai shpërtheu sezonin e kaluar sa ishte pjesë e Fenerbahçes, ku pati realizuar 15 gola dhe gjashtë asistime në 32 ndeshje në Superligën e Turqisë.

Muriqi së fundi është përballur me një lëndim tjetër, derisa është raportuar se ai pritet të jetë pjesë e Lazios për ndeshjen kundër Napolit të dielën./k.net

Asnjë koment

Comments are closed.