Mustafa: Letra e Albin Kurtit s’kishte qëllim të mirë
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se letra e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, në ditën e fundit të afatit për zyrtarizime të koalicioneve parazgjedhore, nuk ka pasur qëllim të mirë.
Sipas tij, Kurti me propozimin që LDK-së t’i takonte prijësi i listës e VV-së përfaqësuesi i koalicionit dhe kush merr më shumë vota bëhej kryeministër, ka qenë nxitje për garë të brendshme.
“Ne nuk futemi në zgjedhje me bërë garë të brendshme në mes të LDK dhe Vetëvendosjes. Si ide është jo funksionale, totalisht jo funksionale. Nuk mund t’u themi votuesve të LDK-së mos votoni për Albin Kurtin e atyre të Vetëvendosjes mos e votoni Vjosa Osmanin. Propozimi, letra e hapur që e kanë dërguar nuk ka pasur qëllim të mirë, ajo ka treguar se puna e koalicionit ka përfunduar dhe ne po shkojmë në zgjedhje vetë. Si propozim i tillë edhe ata, edhe ne e kemi ditur që nuk funksionon”, ka thënë ai në KTV
Mustafa ka thënë se nëse LDK-ja nuk del e para në zgjedhje, nuk do të kërkojë nga askush postin e kryeministrit.
Kkryetar i LDK-së, ka thënë se e ka pasur gjithmonë në ndërdije se në një koalicion parazgjedhor mes partisë së tij dhe Vetëvendosjes, kandidati për kryeministër do të duhej t’i takonte LDK-së.
Ai ka thënë se LDK-ja e ka merituar të ketë kandidatin në rast të koalicionit parazgjedhor për shkak se ka qenë grupi më i madh parlamentar dhe se qeveris me numrin më të madh të komunave.