02-12-2024

Mustafa: Zgjedhje të vërteta janë ato që i vendosin qytetarët, jo koalicionet parazgjedhore

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se zgjedhje të vërteta janë ato që e vendosin qytetarët, e jo koalicionet parazgjedhore.

Sipas tij gara e vërtetë fillon sot.

“Nga sot fillon gara e vërtetë. Kush nga partitë, LDK, VV, PDK dhe kush nga koalicionet, Nisma-AKR- PD apo AAK-PSD, sikurse edhe koalicionet e komuniteteve joshumicë do të kenë përkrahje më të madhe qytetare”, ka shkruar Mustafa, transmeton Koha.net.

Ai thotë se nga Kuvendi i LDK-së, më 3 gusht, u ka bërë ftesë publike partive më të mëdha që të maten veç e veç në zgjedhje.

“Zgjedhje të vërteta janë vetëm ato, për fatin e të cilave vendosin qytetarët dhe jo koalicionet parazgjedhore”, ka shkruar Mustafa.

Tutje Mustafa ka thënë se do të punojë që të rrumbullakësohet koalicioni paszgjedhor me Vetëvendosjen, përkundër që nuk u arrit një koalicion parazgjedhor.

“Bashkërenditja e opozitarizmit me VV dhe bisedat për të qeverisur bashkë, na kanë ofruar për shumë interese të vendit. Prandaj, me përkushtim do të vazhdoj të punoj të rrumbullaksojmë koalicionin paszgjedhor, në kushte të respektimit reciprok”, ka shkruar Mustafa.

Tutje Mustafa ka shtuar se LDK-ja me tërë potencialin e saj do të punojë për ç’kapjen e shtetit dhe dekriminalizimin e tij, ta zhvillojë ekonominë e të hap vende pune; të rikthejë partneritetin me BE dhe SHBA.

“Koalicioni ynë i parë është me qytetarin. E keni LDK-në. Kandidaten e LDK-së për kryeministre dhe ekipin që s’e ka askush. Së bashku me ju që e doni shtetin tonë, sot shfletojmë faqen e re”, ka thënë ai.

Asnjë koment

Comments are closed.