17-05-2024

Mytaher Haskuka si Ramadan Muja

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka po vepron sikur pararardhësi i tij në këtë post, Ramadan Muja kur ishte në fundin e mandatit, duke mos marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit Komunal (KK),  të cilin bashkëpartiakët e Haskukës nga Vetëvendosje e patën kritikuar shumë sa ishin në opozitë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Derisa mospjesëmarrjen e Haskukës në mbledhjet e organit më të lartë të Prizrenit, në seancat tjera e kritikuan kuvendarët e opozitës, në seancën e fundit (dje) një veprim të tillë e kritikuan edhe kuvendarët nga LDK,  që është partneri kryesor qeverisës i Vetëvendosjes.

Fotografia e Artan A. Abrashi

Këshilltari Petrit Hoxha (LDK), tha se mos pjesëmarrja e kryetarit në seanca është nënçmim për kuvendarët dhe qytetaret e Prizrenit. “Vetëvendosje  ka qenë kritikuese pse kryetari Muja nuk merrte pjesë në mbledhje. Këta ishin ata që e akuzonin, ndërsa sot të njëjtën metodë po e ndjek edhe vet Haskuka i partisë, që dikur kritikonte veprimet e tilla.

Kuvendari i AAK-së në opozitë, Ilir Baldedaj ndërkaq ka thënë se mosardhja e kryetarit në seanca të Asamblesë thjesht është një tallje në radhë të parë Kuvendin, e pastaj me qytetarët. “Disa pyetje ia bëjmë kryetarit, andaj në mungesë të tij shumë çështje mbeten pa thënë, e ndoshta pikërisht për këtë edhe mungon Haskuka”, tha ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Ndryshe,  ish-kuvendarët e Vetëvendosjes  në përbërjen e kaluar të KK-së, disa herë e kanë kritikuar kryetarin e atëhershëm Ramadan Muja, për mospjesëmarrje gjatë mbledhjeve të këtij organi.

Pas kritikave për veprimet kësisoj tashmë edhe të Haskukës,  që kishte premtuar një qeverisje ndryshe nga ajo e mëparshmja e PDK-së, kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi,  që njihet si njëri nga kritikuesit e Mujës, tha se i  kupton kritikat e opozitës, por jo edhe ato të pozitës që i ka drejtorët nga radhët e saj.

Pra, deklarimet sa ishte në opozitë të Vetëvendosjes duket të jenë tjera nga veprimet e saj tashmë në pushtet./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.