Nagavci thotë se mësimi plotësues duhet të vazhdojë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka mbajtur konferencë për media ku ka folur për punën që nga koha kur e ka marrë detyrën në mars.

Ajo ka njoftuar se ndër vendimet e para në këtë post është mësimi plotësues.

“Si fillim kemi marrë vendim për mësim plotësues. Na janë përcjellë raportet nga DKA-ja për mësim plotësues dhe kemi marrë vendim që ende ka nevojë për këtë lloj mësimi. Kemi organizuar mësimin alternativ plotësues për nxënësit e Kamenicës. Vendimi është marrë pas vizitave dhe raporteve nga ana e inspektoratit. Është ofruar mbështetje për shoqatën e matematikanëve dhe fizikantëve. Në proces e kemi rishikimin e formulës së financimit të arsimit parauniversitar”, ka thënë ajo.

Nagavci ka shtuar se janë në pritje 239 raporte që kërkojnë shqyrtim nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, duke thënë se po merren hapa për Agjencinë e Akreditimit rreth ndarjes së lokacionit, derisa kanë nisur procedurat për rekrutim të stafit.

“Në bashkëpunim me universitetet publike jemi duke parë që kuotat për regjistrim të jenë në përputhje me nevojat e tregut. Sigurimi i financimit për kërkimet shkencore është në procedurë këshilli kombëtar i shkencës”./k.n