“Nata e Bardhë”, vitin e ardhshëm në Prizren
“Nata e Bardhë”, manifestim ky që mbahen çdo vit në mbi 100 qytete anembanë botës, gjatë vitit të ardhshëm do të mbahet edhe në Prizren. Këtë e kanë paralajmëruar zyrtarët më të lartë lokal, shkruan “GazetaePrizrenit.net.
Nata e Bardhë është një aktivitet ndërkombëtar artistik, ku muzetë, galeritë dhe institucionet kulturore hapen për publikun gjatë natës dhe qyteti shndërrohet në një galeri të hapur të artit me vepra artistike, instalacione dhe performanca nga artistë të ndryshëm të ekspozuara në këto hapësira.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se pas një takimi njoftues në mars të këtij viti, me nënkryetarin e Komunës Metropolitane të Parisit, Christophe Girard janë pajtuar për mbajtjen e manifestimit Nuit Blanche (Nata e Bardhë), të mbahet me 2019 edhe në Prizren.
“Pas takimit, së bashku me Girard, morëm pjesë në prezantimin e artistit jug-afrikan Sifiso Seleme i cili është ndër pjesëmarrësit e shkollës së Ballkanit Për Teori dhe Praktikë, e cila po mbahet gjatë këtij muaji në Kino Lumbardhi”, ka shkruar në faqen e tij zyrtare të facebok-ut, ai.