25-04-2024

Ndahet nga jeta veprimtari i kulturës dhe arsimit nga Zymi i Hasit, Nikollë Kërhanaj

Ka ndërruar jetë në moshën 77 vjeçare, shkrimtari, Nikollë Kërhanaj. Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, Frrok Kristaj dhe Berat Batiu. Një nga miqtë e tij më të mirë, Frrok Kristaj e ka kujtuar atë përmes një shkrimi në Facebook, ndërsa e ka cilësuar si njeri të ndershëm e arsimtar të devotshëm.Tutje ai shkruan se Kërhanaj ngado që lëvizi la gjurmë në fushën e arsimit e kulturës.

Ndërkaq, nga komuniteti letrar i Prizrenit, Berat Batiu ka shkruar se ” Me pikëllim të thellë, ne komuniteti letrar i Prizrenit, morëm lajmin për vdekjen e kolegut tanë, shkrimtarit, historianit, etnologut dhe mësuesit tonë Nikollë Mark Kërhanaj.

Edhe pse për një kohë, nuk ishte në ballë të organizimeve letrare, nuk mund të pajtohemi se në Zymin që e deshe aq shumë, nuk do të takohemi më me njeriun e urtë e të fjalës, që organizoi me dekada Manifestimin Letrar për Gjeçovin, duhet të pajtohemi se nga sot jemi varfëruar shumë nga një pendë, që nuk u ndal asnjëherë.

Veprimtaria letrare e shkencore e Nikollë Kërhanaj, do të na shërbejë si udhërrëfim të gjithë neve se si duhet të punohet e ruhet e kaluara jonë e lavdishme përmes veprave. Prandaj, ne krijuesit prizrenas, nga sot nuk do ta kemi vetëm fizikisht në mesin tonë, ndërsa krijimet e tij do të jenë në bibliotekat tona dhe të brezave, sepse mësuesi Nikollë ishte i të gjithëve. Madje ishte më shumë i shokëve dhe miqve se sa i familjes.

Familje e nderuara e krijuesit Nikollë Kërhanaj, ndjehuni krenar për më të dashurin tuaj, i cili nuk ishte vetëm i juaji, por i të gjithë nxënësve, i të gjithë krijuesve, i gjithë hapësirën shqiptare, nga i cili shumë nga ne, i mësuam shkronjat e para dhe rrugën e dijes.

Të dashur fëmijë, nipa e mbesa, shokë e miq të Nikollë Kërhanajt, dhembja dhe pikëllim që sot e ndjeni për më të dashurin tuaj, të jeni të bindur se edhe neve bashkëpunëtoreve e kolegeve të tij na takon një hise, sepse e kishim në ballë të çdo organizimi.

Nga sot ju do të mbeteni pa prindër, ndërsa ne pa njeriun që do të na prijë në organizime letrare e shkencore. E vetmja, gjë që na ngushëllon neve, janë shkrimet e tij. Ndërsa për ju, nuk do të jetë më fizikisht, në mesin tuaj, prandaj shprehim ngushëllime në emër të Komunitetit Krijues Prizrenas.

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, pushofsh në paqe, Nikollë Kërhanaj”, ka shkruar Batiu.

Kërhanaj u lind në Zym të Hasit më 05 dhjetor 1943. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Normalen në Prizren, ndërsa Fakultetin Filozofik, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, e duke ia kushtuar më pas tërë jetën arsimit.

Asnjë koment

Comments are closed.