Ndalohen dy të dyshuarit për kanosjen me kallashnikov te Tranziti në Prizren

Një ngatërresë mes dy të rinjve ka ndodhur te Tranziti i Vjetër në Prizren, ku u përdor edhe një kallashnikov. Dy të rinjtë Edison Jeliqi dhe Fitim Kalimashi, janë arrestuar, teksa nga Policia është konfiskuar edhe arma që dyshohet se u përdor në rast.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që Jeliqit dhe Kalimashit t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Dy të rinjtë dyshohet se fillimisht nisën një konflikt verbal, që eskaloi me kërcënime, për çka u desh intervenimi i Policisë.

Sinjali mëson se rreth orës 17:45, Fitim Kalimashi ka njoftuar Policinë se është kanosur me kallashnikov nga Edison Jeliqi. Kalimashi kishte lënë veturën e tij në afërsi të punëtorisë së Jeliqit dhe vetë ishte larguar që aty.

Në vendin e ngjarjes, burimet thonë se kanë dalë disa njësi policore, me ç’rast pas kontrolleve kanë sekuestruar dy armë të zjarrit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.