Ndërpritet shqyrtimi gjyqësor ndaj rojës së pyllit, që akuzohet për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike
Me kërkesë të prokurorit Kastriot Memaj, në gjykimin ndaj rojës së pyllit, Naim Berisha për veprën penale “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”, është ndërprerë seanca gjyqësore e mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Ndërprerja e kësaj seancë gjyqësore u bë për shkak se, prokurori Memaj, kërkoi që aktakuza e këtij rasti të shkojë në departamentin për krime të rënda në prokurorinë Themelore në Gjakovë për vërtetimin e kompetencës lëndore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo kërkesë erdhi pasi që prokurori Memaj, deklaroi përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës nuk përkon me kualifikimin e veprës penale “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”, dhe do të duhej të ishte “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, e cila vepër është kompetencë lëndore e departamentit të krimeve të rënda.
Pas kërkesës së prokurorit Memaj, me vendim të gjyqtarit Lulzim Paçarizi, u ndërpre seanca e shqyrtimit gjyqësor dhe lënda i dërgohet departamentit për krime të rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë për vërtetimin e kompetencës lëndore.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Naim Berisha, akuzohet se gjatë muajit shkurt deri më 17 mars 2016, në cilësinë e rojtarit të pyllit në zonën kadastrale Senik dhe Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe nuk i ka përmbushur obligimet e tij, në bazë të Udhëzimit Administrativ për Mbrojtjen e Pyjeve, Përgjegjësitë dhe Obligimet e Rojës së Pyllit Nr.05/2010.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Berisha, gjatë periudhës së lartcekur, nuk ka evidentuar asnjë person që e kanë dëmtuar, respektivisht që e kanë prerë pyllin dhe nuk ka paraqitur asnjë fletëparaqitje për lokacionet ku ka ndodhur prerja ilegale.
Në aktakuzë thuhet se ilegalisht janë prerë 3374 dru të llojit “ahu” dhe “bungu”, në vlerë prej 3771 euro dhe dëm mjedisor në vlerë prej 5000 euro, gjendje kjo e konstatuar nga inspektorët e pylltarisë nga Drejtoria Qendrore e Inspektoratit të Pylltarisë dhe Gjuetisë.
Me këtë, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 258, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi