26-04-2024

Ndërtimi i Sheshit të Bazhdarhanes synon transformimin e Prizrenit

Projekti ideor për jetësimin e Sheshit të Bazhdarhanes është prezantuar të premten nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, me ç’rast është thënë se në saje të tij synohet rregullimi i disa problemeve aktuale të qytetit.

Pjesëmarrësit në këtë debat publik kanë mirëpritur idenë e krijimit të një sheshi të ri në qytet, por njëherësh kanë shprehur edhe dilemat për koston eventuale, sikurse edhe kohëzgjatjen e zbatimit të tij, shkruan sot Koha Ditore. Madje në mesin e tyre ka pasur edhe të tillë që këtë ide e kanë cilësuar më tepër si utopi sesa realitet.

Drejtoresha e DTZHE-së, Sevil Kazaz, ka bërë të ditur se ky shesh parashihet të realizohet në hapësirën rreth “Shtëpisë së Bardhë”. “Sheshi Bazhdarhane është projekt i cili nëpërmjet ndërhyrjes infrastrukturore në hapësirën përreth ‘Shtëpisë së Bardhë’ hap një perspektivë të re zhvillimore për qytetin dhe Komunën e Prizrenit”, ka thënë ajo.

Ndërsa udhëheqësi i projektit, Jeton Jagxhiu, ka theksuar se ky projekt synon “rregullimin e disa problemeve aktuale të qytetit”.

https://www.koha.net/kosove/172663/ndertimi-i-sheshit-te-bazhdarhanes-synon-transformimin-e-prizrenit/

Asnjë koment

Comments are closed.