03-12-2024

Në 16 shkolla në Dragash ende mësojnë me plan-program serb

Në shkollën fillore të mesme të ulët “22 Dhjetori”, komuniteti goran mësimet i zhvillon me planprogram arsimor serb, përderisa shkolla “Restelica” funksionon me sistemin e Kosovës, raporton KTV.

Përfaqësues të shkollës “Restelica” thonë se bashkëpunimi mes tyre është minimal.

Në Komunën e Dragashit janë edhe 15 shkolla të tjera që funksionojnë me sistemin arsimor të Serbisë.

Për këtë, kryetari i kësaj komune, Shaban Shabani, ka thënë se njëherë i kanë mbyllur këto institucione, megjithatë nga presionet e shumta, kanë qenë të detyruar t’i rihapin.

Ai shton se këtyre nxënësve që mësojnë me këtë sistem iu pamundësohet regjistrimi në sistemin arsimor të Kosovës, përfshirë universitetin.

Përkundër që ky problem është i vjetër, Ministria e Arsimit ende nuk ka ndonjë plan konkret në lidhje me këtë, por janë duke e bërë një pilot-projekt, me të cilin do të fillojnë që këto shkolla t’i integrojnë gradualisht në sistemin e arsimit të Kosovës.

Megjithatë, më shumë se 100 shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë funksionojnë sipas plan-programit serb.

Asnjë koment

Comments are closed.