23-11-2024

Në 25 vjetorin e rënies së heroike, nderohet veprimtaria atdhetare e dëshmorit, Ismajl Kryeziu

Në 25 vjetorin e rënies heroike, të enjten është përkujtuar dëshmori Ismajl Kryeziu.

Veprimtaria e tij atdhetare është përkujtuar nga familjarë, bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë, ushtarë të FSK-së si dhe të qytetarë të brezit më të ri, të cilët bënë homazhe në Landovicë, vendin ku dhe është i varrosur, si dhe tek shtatorja e tij, në lagjen” Arbana”.

Ismaili e filloi aktivitetin që në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar me pjesëmarrje aktive, në protestat dhe demonstratat kundër represionit që ushtronte aparati policoro-ushatak serb. Ai njihej nga shumë bashkëveprimtarë të çështjes kombëtare si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Angazhimi i tij si në LPK, Frontin Popullor, por edhe në Partinë Parlamentare e në KMDLNJ ishte i pashoq. Me nisjen e luftës së UÇK-së, në fillimvitin e 1998 policia serbe kërkoi atë në shtëpi për ta arrestuar, pasi disa shokë të Vrrinit dhe Tusuzit veçse ishin burgosur. Nga ky moment, Ismajli kaloi në ilegalitet duke iu bashkuar UÇK-së, fillimisht si ndërlidhës i Shtabit të UÇK-së së Vrrinit, e më vonë Brigadës 125 të Zonës së Pashtrikut.

Në këtë detyrë e gjeti edhe dita e kobshme e 18 prillit 1999, kur u rrethua nga forca te shumta serbe në një shtëpi në Arbanë. Me gjasë, nga policia serbe ishte zënë i plagosur,  ndërsa për fatin e tij nuk është ditur deri me 13 mars 2009, kur eshtrat e tij janë identifikuar në varrezat e qytetit të Prizrenit. Ismajl Kryeziu u varros me nderime të larta shtetërore, në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, me 18.03.2009.

Në Arbanën e tij, tashmë është ngritur një lapidar që e përjetëson kujtimin dhe veprën e Ismajl Kryeziut. Ai është shpallur ‘Hero i Kosovës’!

/Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.